Përpjekjeve ndërkombëtare për sanksione kundër regjimit të Bashar Al Assadit të Sirisë iu bashkua edhe Kosova. Kryediplomati Enver Hoxhaj të premten në Paris krahasoi regjimin sirian me atë të Milosevicit. Para zyrtarëve të lartë nga 100 shtete të botës, Hoxhaj kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të veprojë për ta ndalur gjakderdhjen atje.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u është bashkuar diplomatëve nga shumë shtete të botës, të cilët të premten në Paris kanë folur për zhvillimet në Siri.

Në fakt, në konferencën ndërkombëtare “Miqtë e Sirisë”, ku kanë marrë pjesë zyrtarë nga 100 shtete të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kërkuar që këtij vendi t’i vendosen sanksione më të ashpra ndaj Sirisë nëse nuk zbatohet plani për tranzicionin në Siri i prezantuar nga ish –Sekretari i OKB’së, Kofi Annan.

Takimi në kryeqytetin francez është bojkotuar nga Rusia dhe Kina. Në këtë konferencën përveç autoriteteve më të larta shtetërore të Francës, kanë marrë pjesë edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle dhe diplomatë nga shumë vende të botës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, sipas MPJ’së, ka zhvilluar takime me homologë të tij. Por, në fjalimin e tij dedikuar zhvillimeve në Siri, Hoxhaj ka qenë i ashpër ndaj regjimit të Assadit. Ai ka thënë se përgjigja brutale e regjimit të Sirisë ndaj kërkesave të popullit të atjeshëm nuk mund të prodhojë asgjë tjetër “përveç më shumë viktima” dhe se ajo që po ndodh në Siri është vuajtja e popullit sirian, dhe kërcënim i paqes regjionale.

“Republika e Kosovës dënon ashpër fushatën gjakderdhëse të regjimit të Assadit ndaj aspiratave të opozitës siriane për të transformuar vendin e tyre në një shtet të hapur dhe pluralist. Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e popullatës për ndryshime politike në Siri dhe ne përkrahim angazhimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki – Moon dhe të dërguarit të KB-së dhe të Ligës Arabe, Kofi Annan”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se regjimi i Assadit e ka humbur legjitimitetin e tij në momentin kur kërkesat legjitime të qytetarëve sirianë u ndeshën me bombardime artilerish, tankesh dhe me vrasjen masive të civilëve. Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka folur edhe për rastin e Kosovës duke theksuar se gjatë viteve 1998 e 99, gjenocidi në Kosovë nxiti NATO-n të veprojë dhe të intervenojë për të parandaluar një Bosnje të re.

“Në Siri, sot, edhe njëherë, njëjtë si në Bosnje dhe Kosovë vite më parë, komuniteti ndërkombëtar është para një dileme për të ndërmarrë aksionin e duhur për të parandaluar dhunën dhe viktimat. Aspiratat e opozitës siriane për të transformuar Sirinë në një shtet demokratik, të hapur dhe pluralist, janë të ngjashme me ato të popullit të Kosovës të para disa viteve.

Ne ishim viktimë e një spastrimi etnik dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut nga logjika e një tirani siç ishte Slobodan Milosevic. Sot, Kosova është një vend demokratik, i pavarur dhe një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Evropë”, tha Hoxhaj. Ai po ashtu ka shprehur besimin e fuqishëm që komuniteti ndërkombëtar është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë efektive krizës së Sirisë.