Nga Aurenc Bebja, Francë*


Gazeta politike franceze, Le Radical, ka botuar, të shtunën e 9 nëntorit 1912, në faqen n° 3, intervistën e Ismail Qemalit dhënë për gazetën austriake, Neue Freie Presse.


Lideri shqiptar ka folur për pavarësinë e Shqipërisë, për aleatët e saj, si dhe për marrëdhëniet me fqinjët.


Ai nuk ka nguruar të paralajmërojë Evropën për rrezikun me të cilin do të përballej nëse copëtoheshin tokat shqiptare.



Në vijim do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu Dars (Klos), Mat Albania:


Vjenë, 8 Nëntor 1912: La Nouvelle Presse Libre (Neue Freie Presse)  ka botuar intervistën e liderit shqiptar, Ismail Qemali, aktualisht në Vjenë:


Pushtuesit e tanishëm do të bënin një gabim të madh nëse do të dëshironin të zgjeronin kufijtë e tyre mbi kurrizin e shqiptarëve. Ata kurrë nuk do të pranojnë një fat të tillë, dhe Evropa nuk do të jetë kurrë në paqe në qoftë se Shqipëria është e fragmentuar.


Nëse territoret e pushtuara nga shtetet ballkanike janë tashmë të pavarura nga Turqia, Shqipëria gjithashtu e ka në zemër të bëhet një shtet i civilizuar, dhe duke pasur parasysh se ne duam marrëdhënie të mira me Serbinë, kjo e fundit do të mund të përdorë portet tona për tregtinë e saj.


Malësorët luftojnë kundra Turqisë, jo për Malin e Zi, por për pavarësinë e Shqipërisë.


Në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme të Shqipërisë me Austro-Hungarinë, Ismail Qemali ka deklaruar:


Ne duam të mbajmë raporte të mira me Austro-Hungarinë dhe Italinë, me qëllim që këto dy shtete të favorizojnë zhvillimin tonë intelektual dhe ekonomik.


Një shtet i vogël ka nevojë të mbështetet tek më të mëdhenjtë, dhe kjo mbështetje  në dy fuqitë aleate të Adriatikut është e qartë.


Monarkia e madhe fqinje do të ketë vetëm përfitim nga një Shqipëri e pavarur.


* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat Albania