Kush janë autorët e vrasjes së Heroit të Mirditës ditën e 7 gushtit


Kolë Ndreka





Një fjalë e Bardhok Bibës çonte në këmbë të madh dhe të vogël. Njëherësh, me eliminimin fizik të tij merrej haku për humbjen fatale të gjomarkëve, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai duhej të vritej që ti ndryshohen fatet Mirditës dhe Shqipërisë!?. Ky synim i banditëve nuk duhet të na lodhte mendjen për ta kuptuar!.

Të dhënat kanë faktuar se atë e gjurmonin pandërprerë, sidomos gjatë muajve qershor, korrik e gush të vitit 1949. Në krye të këtyre trimave të skutave qëndronte kryetari i “Komitetit të Maleve” Ndue Pjetër Gjomarku, kushëriri i Bardhokut. Fillimisht, ai do të ringjallte e mblidhte organizatën e tij të shpartalluar, tu jepte shpresë e të riaktivizonte edhe disa nga ata që përfituan nga amnistitë (faljet).

Rasti më i përshtatshëm për ta goditur atë u gjet në ditët e gushtit të vitit 1949, kur lufta në kufirin shqiptaro-grek e kishte kaluar nivelin e provokacioneve e qe shndërruar në goditje frontale të gjerë.

Bash në atë kohë, Bardhok Biba me një ekip nga Fronti, Rinia e Gruaja prej ditësh ndodheshin në zonën e Shënpalit. Atje, shtronte kërkesën për 700 punëtorë e vullnetarë që do të shkonin për ngritjen e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë dhe punëtorë me pagesë në minierën e Rubikut, me që fronti i kërkimit e i shkrirjes së bakrit qe zgjeruar. Kishte filluar edhe zgjerimi i xhades nacionale Rrëshen-Pukë.

Kriminelët e mbanin nën vëzhgim, pa mundur ta godisnin duke qenë mes popullit. Më 6 gusht ai zbriti nga Oroshi dhe u ndal në lokalitetin e Shpalit. Aty i doli përpara vajza, Dila Suti, aktiviste e gruas. Ajo, duke përfituar nga qenia e besueshme, do ti hapte mirë veshët se nga do të ketë udhën “shoku” Bardhok. Jerani i saj, burri i motrës, e priste atë informatë diku në pyll, dhe po atë natë, bashkë me kunatën – dashnore do të kalonte në Jugosllavi.

Bardhok Biba pasi mësoi dështimin e ekipit të zonës së Kaçinarit që kishin nxjerrë prej andej fare pak punëtorë e vullnetarë, u bind se bandat, kanë bërë punën e tyre për të sabotuar punët e pushtetit, dhe aty për aty vendosi të shkojë në Kaçinar. Këtë ndryshim rruge të papritur Dega e Brendshme e rrethit nuk e mësoi. Ai do të ishte ndryshim në favor të bandave. Mundësi më të madhe që jepte udha e Kaçinarit për ta vrarë s’mund të krijonte asnjë shteg tjetër.

Njerëzit me fytyra të çakërdisura lëviznin dushqeve duke fërkuar duart, të sigurt se do të derdhnin gjak.

“Sonte Bardhok Biba do të bujë në Kaçinar, nesër patjetër do të kthehet për në Shënpal. Peshqesh ka për të bërë një takim me ata të Këshillit; s’ka shteg tjetër nga të shkojë përveç se nga Qafa e Valmerit. Hëna sonte është e plotë, dhe mullari i dushkut do të ngrihet pa zbardh dita”.

Ky qe lajmi që solli kapobanda, duke njoftuar shokët e tij edhe për masat që janë marrë. I zoti i asaj shtëpie për atë “sihariq” theri dashin. Në sofër, nën avullin e mishit e të rakisë, u ndez për shtatë palë qejfe muhabeti. Por, aty nga gjysma e darkës u prish pak humori kur njëri nga të bandës shfaqi mospajtimin me vrasjen e së nesërmes. “Na, o burra, do ta vrasim Bardhok Bibën, por mendja ma thotë se do ti bajmë dam jo të vogël Mirditës; komunistë më të egër se sa ai do të çojë Enver Hoxha në Rrëshen; forcat këtu do të ti shtojnë e ne do të rrezikojmë vetveten”. Pas një heshtje të shkurtër, fjalët ndërruan tonet e iu vërsulen “frikacakut”.

“Me kë je ti?” Kur ke këto mend, pse vjen me ne? Shko e kallëzoi Bardhok Bibës se ku jemi sonte! Sofra u përzie keq, por ai ishte me ata për këtë pat dhënë prova. Acarimi nuk zgjati.

Atë ditë të 6 gushtit, Bardhok Biba arriti vonë në Kaçinar. Kishte bërë 4 orë rrugë në këmbë nga Shënpali deri aty. Bëri një mbledhje me Këshillin Drejtues të Frontit, Rinisë dhe Gruas. Kërkoheshin rreth 100 vullnetarë e punëtorë nga ajo zonë. Po, a largoheshin aq kollaj fshatarët nga shtëpitë në muajt afër vjeshtës, kur binin në bukën e re të misrit gushtak, e fillonin pjekjen manat e kumbullat. Dimri vinte herët e duheshin bërë gati mullarët e gjethit për bagëtitë. Madje, fillonte korrja e misrave dhe vjelja e rrushit. Gartë e kalamajtë s’mund t’i përballonin ato punë.

Deputeti i dinte këto halle të kaçinarasve, simonasve, kushnenasve dhe në mbledhjen e popullit do ta shtronte problemin nga prekja e këtyre shqetësimeve. “Kam ardhë të kërkoj nga ju, djem e burra, disa për ti çuar vullnetar në Kombinatin e ri që po ngrihet në Tiranë, me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Ai do të prodhojë pëlhurë e veshje të tjera; 40-50 burra duhen për të punuar në minierën e Rubikut për 3 ose 6 muaj. Kemi nevojë edhe për punëtorë me pagesë në xhaden Rëshen-Pukë. Kush është mbi 2 – 3 burra në shtëpi besoj se do ti përgjigjet kësaj thirrje. Ata që janë pa krahë pune, përveç të zotit të shtëpisë, nuk kërkojmë të dalin vullnetarë; le të mbledhin bereqetet e tyre se edhe këtë punë e do shteti për ju”.



Shume vite më vonë ka dalë një zë që duhet besuar. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kallauzi (korrieri i bandës). Ai ka qenë ndër të parët që doli vullnetar, jo për 3 por për 6 muaj. Shumë të pranishëm në atë takim u çuditën për vullnetin e atij personi. Sapo mbaroi ai takim “vullnetmadhi” e çoi informacionin diku në një grykë disa metra larg pritës. Thonë gjithashtu se hilen e pagoi me kokë. Vetëm një thënie ishte kjo!...

Shtegu i Valmerit dhe kodra ku u vu prita, ishin larg Kaçinarit, më shumë se një orë. Bardhok Biba do të marronte aty, me rreth 70 burra e të rinj vullnetarë. Po të ndodhte kjo, pritës do ti lagej baruti e s’do të bënte bam.

Rasti e solli që ai të shkonte më shpejt në Simon, e prej aty të dilte në Qafë të Valmerit për të pritur vullnetarët. Aty mori vendimin të ecte përpara për të bërë një takim në Peshqesh (fshat përtej Fanit të Madh) e të priste karvanin e burrave që vinte pas. Në Shënpal do të vinin për ti marrë dy automjete. Prita qe bërë gati ashtu siç e përshkroi veterani i minierave, - Gjoni. Bardhok Biba zakonisht nuk merrte roje me vete. Au u pat dhënë besën dhjetëra të arratisurve; ata i patën treguar disa raste kur ai kishte kaluar mes pritave dhe të arratisurit ishin zënë me njëri-tjetrin e nuk lejuan të qëllohet mbi deputetin.

Dita e vrasjes së Bardhok Bibës ka një lidhje të çuditshme; ndoshta rastësisht, me betejën e luftës së ushtrisë shqiptare kundër forcave agresive greke, në lartësinë 1445, të varg-kodrave të Vidohovës së Devollit. Atë ditë aviacioni i monarko-fashistëve grekë ka bërë një bombardim të egër përgjatë gjithë vijës kufitare me Greqinë. Mundet të ketë qenë edhe koordinim në distancë e atyre veprimeve me ngjarjen e Qafë Valmerit.





Në numrin e radhës do të lexoni





Si e pasqyruan gazetat amerikane vrasjen e Bardhok Bibës në Mirditë



“The New York Times” shkruan për përleshjet mes grupeve të organizuara dhe forcave komuniste në malet e Mirditës



Misionet e Ndue Pjetër Gjomarkut në Shqipëri me ango-amerikanët dhe trajnimet e tij në Romë për të realizuar planet



Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës











6 Gusht 2009