Një avion pasagjerësh që mbante rreth 66 njerëz në bord është rrëzuar këtë mëngjes në një zonë malore të Iranit qendror, njoftojnë mediat vendase.


Avioni ra në malet Zagros pranë qytetit të Semirom në provincën Isfahan, teksa fluturonte nga Teherani drejt qytetit jugperëndimor të Yasuj.


“Të gjitha forcat e emergjencës janë në gatishmëri”, tha një zëdhënës i shërbimeve emergjente.


Moti i keq thuhet se pengoi një helikopter të emergjencave që të ndërhynte për të shpëtuar njerëzit. Dyshohet se të 66 pasagjerët e avionit ATR 72-500, që operonte për linjën Aseman Airlines kanë humbur jetën.


Aeroplani ATR 72 u zhduk nga radari rreth 20 minuta pasi u nis në orën 5:00 me atë lokale. Dëshmitarët i thanë mediave lokale se u duk se avioni po përpiqej të bënte një ulje emergjente në një kullotë përpara se të përplasej.


Përpjekjet për shpëtimi janë penguar nga vendndodhja e largët e vendit të rrëzimit dhe mjegulla e dendur. Sipas raportimeve është e pamundur që ambulancat të mbërrijnë në vendin malor, kështu që ekipet duhej të dërgoheshin me helikopter.


Aseman Airlines është transportuesi i tretë më i madh në Iran dhe është i bazuar në kryeqytetin Teheran.


18 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)