Qeveria iraniane ka ndërmend  që të vendosë në funksion internetin kombëtar të cilin e quajnë “internet i pastër”, i cili për shumicën e shfrytëzuesve do të ishte i shkëputur nga Interneti. Themi përsëri sepse autoritetet iraniane disa herë kanë paralajmëruar startimin e Internetit të tyre kombëtar dhe bllokimin e qasjes në përmbajtjet e jashtme, por çdo herë projekti shtyhej.


Nëse, megjithatë, zbatohet ky projekt, shumë përmbajtje të zakonshme të Internetit do të mbetnin krejt të bllokuara, ndërsa çfarëdo anonimiteti në komunikim me siguri që do të zhdukej.


Në këtë mënyrë Google, Hotmail ose Yahoo dhe faqe të tjera të njohura globale do të ishin të paarritshme për shfrytëzuesit në Iran, dhe do të zëvendësoheshin nga shërbimet shtetërore siç janë Iran Mail dhe Iran Search Engine. Shfrytëzuesit e postës elektronike do të mund të regjistrohen me emër të plotë dhe adresë në agjencinë e qeverisë për të marrë e-mail adresën dhe kodin e Iran Mail. Shumë shfrytëzues të privilegjuar si agjencitë qeveritare, bursa, kompanitë e mëdha dhe bankat do të kenë qasje në Internet, ndërsa për qytetarët e thjeshtë do të ishte në dispozicion vetëm “interneti kombëtar”.


Iranianët tashmë janë mësuar me censurim të ashpër të Internetit, mbikëqyrje, survejim, madje edhe shkyçje totale nga Interneti që vetëm këtë vit ka ndodhur tashmë disa herë. Herën e fundit është ndërprerë qasja për të gjitha faqet e huaja të enkriptuara të cilat shfrytëzojnë protokollin SSL. Për këtë arsye shumë iranianë përdorin rrjetet VPN dhe proxy serverët për të anashkaluar kufizimet e tilla. Projekti i “internetit kombëtar” do të pamundësonte zgjidhjet e tilla dhe do të ashpërsonte kontrollin e qasjes dhe këmbimit të informatave.


Për deklaratat e fundit të agjencive të lajmeve që fillimi i punës së “internetit kombëtar” është caktuar për muajin gusht, Reporterët pa Kufij kanë thënë që janë trillime të thjeshta dhe që nuk kanë të bëjnë fare me komunikatën zyrtare të Ministrisë së Informatave të Iranit.