Gjigantët medialë BBC, Deutsche Welle dhe Zëri i Amerikës njoftojnë se autoritetet iraniane kanë ndërhyrë në valët e emisioneve të tyre.

Përmes një komunikate të përbashkët të publikuar të premten, BBC, DW dhe VOA e dënuan aktin e qeverisë iraniane.

Grupacionet mediale britanike, gjermane dhe amerikane kanë vërejtur se që prej ditës së enjte, që ishte data e shënimit të përvjetorit të Revolucionit Islamik, ka pasur një ndërprerje të shërbimeve të tyre televizive dhe radiofonike që, nëpërmjet satelitit Hotbird, transmetohen drejt Iranit.

"E dënojmë çfarëdo ndërhyrjeje në valët e stacioneve tona televizive dhe radiofonike. Kjo gjë bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me lirinë e transmetimit, që mbrohen përmes traktateve ndërkombëtare'', nënvizohet në komunikatën e tri grupeve mediale.