Juria e konkursit letrar të shoqatës “Napoli Cultural Classic”, nën drejtimin organizativ të këshilltares për krijimtarinë, Anna Bruno, javën e kaluar shpalli fituesit e Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë dhe Narrativës për vitin 2010, në të cilin për herë të parë ishte përfshirë edhe emri i një poeteje shqiptare.



Pas shqyrtimit për javë të tëra të të gjithë konkurrenteve dhe veprave të tyre, juria ka vendosur që ndër fituesit e kategorisë së autorëve të huaj të shpallë edhe emrin e poetes shqiptare, Irma Kurti, e cila ka fituar çmimin e tretë me poezinë “Pak durim”.



Javët e fundit, Kurti publikoi romanin e saj të parë, një libër autobiografik të titulluar “Midis dy brigjeve”.



Në konkursin italian konkurruan shumë autorë të ndarë në kategorinë e poezisë si: Pasquale Balestriere, Giulio Liguori, Simone Magli etj., dhe të narratives ku ndër fituesit përmenden Daniela Brancaçio, Maria Rainieri etj. Fituesi i çmimit të parë të kategorisë së autorëve të huaj u shpall poetja Regina Célia Pereira da Silva me poezinë “Ela” dhe i çmimit të dytë “Giorgia Spurio” për poezinë “Take in your hand my smile”.