Tiranë - Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar sot nismën e deputetëve Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve, ndërsa ka miratuar variantin e qeverisë.

Relatori i dy projektligjeve për dosjet e sigurimit të ish-sistemit komunist, Armando Subashi theksoi në fjalën e tij se nisma e paraqitur nga dy deputetët është identike me të njëjtën iniciativë si ajo e vitit 2008, që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për rrjedhojë, projektligji nuk duhet të votohet nga Komisioni.

Deputeti Fatmir Mediu hodhi poshtë propozimin e relatorit duke u shprehur se iniciativa e qeverisë nuk është e plotë. "Ligji që duhet rrëzuar është ai i qeverisë me qëllim rrëzimin e projektligjit të dy kolegeve. Ligji i qeverisë është vetëm informativ pasi nuk pengon personat që kanë dosje të mos ushtrojnë funksione publike. Kemi një ligj për dekriminalizimin tani që do na detyronte që të krijonin një raport të ri mes politikes dhe qytetarëve. Unë kërkoj, mendoj që të mos e hedhim poshtë ligjin e kolegeve por ta mbështesim", tha Mediu.

Ndërsa deputetit z. Eduard Halimi tha se personat e lidhur direkt me Sigurimin e Shtetit duhet të përjashtohen nga funksionet publike. "Qëndrimi i PD është që ata njerëz që kanë marrë pjesë në atë barbari për 45 vjet të mos vazhdojnë të jenë në zyrat e shtetit. Unë gjykoj që si ne dhe qytetarët duan të dinë çfarë do bëhet me këta zyrtarë të shtetit që janë në detyrat dhe kanë kryer atë barbari", theksoi ai.

Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2008 është mbështetur nën një opinion të Komisionit të Venecias dhe për rrjedhojë, ai vendim nuk mund të hidhet poshtë duke pranuar sërish të njëjtin ligj për procesin e lustracionit.

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese siç e përmendi me shumë të drejtë kolegu Majko, për hir të së vërtetës nuk është thjeshtë vendim i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por ai vendim është mbështetur tërësisht në një opinion të Komisionit të Venecias të bërë posaçërisht për ligjin shqiptar.

Gjykata Kushtetuese e asaj kohe i ka kërkuar Komisionit të Venecias të japi vlerësimin dhe opinionin e tij lidhur me përmbajtjen e atij ligji për të parë jo thjeshtë dhe vetëm kushtetutshmërinë e tij, por edhe pajtueshmërinë e tij me standardet në këtë fushë.

Dhe Komisioni i Venecias ka bërë një opinion shumë të qartë por edhe ka ezauruar tërësisht duke e konsideruar një opinion standard për të gjithë vendet e Lindjes. Me atë opinion është mbështetur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të qenë këtu korrekt. Partia Demokratike ka qenë 8 vjet në pushtet. Në vitin 2008 bëri një ligj, ai u konsideruar antikushtetues. Kishte të gjithë të drejtën morale, politike, institucionale të bënte një ligj të ri duke reflektuar mbi ligjin e asaj kohe të gjykatës Kushtetuese dhe nuk kishte arsye pse sot të vinte e të qante atë ligj. Dhe përse sot vjen dhe i kërkon kësaj mazhorance që ka shprehur një vullnet të caktuar për ti dhënë një trajtim", tha Xhafaj.

Ndërkohë që iniciativa e dy deputetëve, Shpëtim Idrizi dhe Mesia Doda për projektligjin "Për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit dhe procesin e lustracionit" u votua kundër në parim edhe në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

/Gazeta Start/