VLORE - Përgjaket Vlora në mesnatë, ish-futbollisti Agim Bubeqi vret me thikë një të ri dhe plagos tre shokët e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak minuta para mesnatës së mbrëmshme në njërin nga lokalet e qytetit të Vlorës në rrugën Vlorë-Skelë, teksa tre të rinjtë ndodheshin duke pirë. Ish-futbollisti ndodhej në verandën e shtëpisë përballë lokalit, ndërsa rreth orës 23:30 ka zbritur poshtë teksa mbante në dorë një çantë në të cilën kishte fshehur një thikë të madhe. Sapo është afruar te tavolina e të rinjve ka qëlluar me të në drejtim të tyre, duke goditur nga të mundte. Si pasojë e goditjeve njëri prej viktimave, emri i të cilit është Edmond Guci, 24 vjeç, banor i lagjes, ka marrë plagë më të rënda, si pasojë e të cilave ka vdekur. Po kështu dy prej shokëve të tij që ndodheshin në të njëjtën tavolinë kanë marrë plagë të rënda dhe janë përcjellë në spital. Edhe i treti është dërguar për ndihmë mjekësore, por ky, sipas burimeve nga vendngjarja ka marrë plagë më të lehta, pasi thika e ka qëlluar shkarazi ngaqë ai po largohej me vrap. Pasi ka qëlluar mbi të rinjtë, mësohet se Bubeqi është ngjitur në banesë, ku ka larë gjakun dhe thikën. Më pas ai ka zbritur sërish te lokali ku ka parë vendngjarjen dhe brenda pak minutash është ngjitur sërish në banesës ku e ka arrestuar policia. Burime nga vendngjarja pohojnë se ish-futbollisti i "Flamurtarit", Bubeqi, vuante nga çrregullime mendore, të cilat ishin bërë më të theksuara pas një aksidenti automobilistik që kishte pësuar në gusht të vitit të kaluar. Ende nuk dihet nëse kurohej apo jo për probleme mendore.                                          qe.bi.