Rovena Gashi, ish-drejtuese e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dalë sot para trupës së Kolegjit të Apelimit duke kërkuar rrëzimin e vendimit dhe rikthimin në detyrë.


KPK-ja në 25 korrik të vitit të kaluar e shkarkoi Rovena Gashin me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. KPK ngriti dyshime për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit . Ndërkohë që tashmë pritet vendimi i Kolegjit të Apelimit. Në Kolegj, Rovena Gashi mbrohet nga motra Ema Gashi, ndërsa seanca ka nisur me debate për shkak të përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, raporton Shqiptarja.com.


Vëzhguese sot ishte përcaktuar për të qenë Mia Rozing, por për shkak të probleme shëndetësore, në seancë është paraqitur Teo Jacobs, i njohur tashmë si ‘makthi’ i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në Vetting. Ema Gashi tha se nuk janë njoftuar për zëvendësimin, ndërsa Teo Jacobs replikoi duke u përgjigjur se “këtu përfaqësoj OMN-në”. Pas replikave ndërhyri drejtuesja e trupës së Apelit, Albana Shtylla duke u tërhequr për vendim.


Diskutimi në seancën e Kolegjit të Apelimit


Rovena Gashi: Do të asistohem në proces nga Ema Gashi

Albana Shtylla: Është edhe e afërmja juaj?

Rovena Gashi: Po, është motra ime, gjyqtare në Durrës

Ema Gashi: Jam gjyqtare në Durrës. Dhe vajza e babait tonë që i keni bërë vetting prej një dekade pa qenë fare subjekt i ligjit. Me email na është thënë se përfaqësues do të jetë nga OMN-ja Mia Rozing.


Po ashtu për arsye shëndetësore na është thënë se nuk është dot e pranishme sot për arsye shëndetësore. Në mënyrë të papritur këtu shohim së është Teo Jacobs. Ka ndonjë akt për zëvendësimin e përfaqësuesit të OMN-së në këtë proces? Në çfarë cilësie zoti Teo Jacobs është këtu?


Teo Jacobs: Emri im nuk është mia por Teo dhe këtu përfaqësoj OMN-në. Kolegia ime është e sëmurë në shtëpi dhe roli im është që të monitoroj dhe të ndjek këtë seancë.

Ema Gashi: E kuptuan që nuk paska një vendim të ONM-së për zëvendësimin e Mias me Teo Jacobs

Kreu i trupës, Albana Shtylla: Do të doja të limitoheni në vijimin e diskutimit pas vendimmarrjes dhe kërkesës paraprake që paraqiti vëzhguesi.

Ema Gashi: Kur ka një përfaqësues tjetër me vendim dhe nuk ka një vendim zëvendësimi me Jacobs në kërkojmë të shpreheni nëse do të më legjitimoni mua si ndihmëse.

Rovena Gashi: Jam dakord me kërkesat e bëra nga motra