TIRANE Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, vlerëson rrugën e Shqipërisë drejt procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Në konferencën Roli i partnerëve në tranzicionin e Shqipërisë, ish-kryeministri italian tha se sa herë që vjen në Shqipëri, sheh ndryshime pozitive.


Duke u ndalur tek procesi i integrimit, Prodi tha se vendet europiane duhet të ndihmojnë vendet që janë në proces integrimi për të bërë hapa përpara.


Shqipëria po ecën në rrugën e integrimit. Sa herë vij në Shqipëri shoh ndryshime. Ne duhet të ndihmojmë me hapat e tjerë të ecim me këtë proces. Ne duhet të jemi optimistë për të ardhmen, pasi kohët më të vështira kanë mbaruar. Ishte vërtet unike në botë të ishe e izoluar në Europë dhe e shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Lidhjet e vetme ishin me Kinën, u shpreh ish-kryeministri italian Romano Prodi.