Ish-shefi i Komisariatit të Policisë së Aeroportit të Rinasit, në vitin 2003, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet për të kërkuar dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Enrik Sulejmani, i cili u arrestua në prill të vitit 2003 nën akuzën e "Shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim", të parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, është mbajtur me masën e sigurisë burg pa afat, deri në fund të procesit gjyqësor në shtator të 2004-ës. Në përfundim të procesit, gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e ngritura dhe të njëjtin vendim la në fuqi edhe Gjykata e Apelit në kryeqytet. Pasi vendimi ka marrë formën e prerë, Sulejmani i është drejtuar sërish rrugës gjyqësore për të marrë dëmshpërblimin, që sipas tij kap shifrën e 820 mijë lekëve. Ish-shefi i Komisariatit të Rinasit, u arrestua së bashku me dy punonjës së këtij komisariati, pasi u akuzuan se kishin lejuar kalimin e dy klandestinëve nga aeroporti.