Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj ka analizuar situatën politike në vend teksa ishte i ftuar në rubrikën Opinion. Ai u ndal tek protesta e opozitës së bashkuar, e cila është parashikuar me 16 mars, ndërsa për Mustafajn është jetike në demokraci mbushja e rrugëve me njerëz që kërkojnë përmirësimin e sjelljeve të një qeverie.


Analisti pohoi se kryeministri Edi Rama nuk është një burrë shteti, pasi sipas tij nuk arrin të lexojë pakënaqësitë e qytetarëve dhe kjo në pikëpamjen e Mustafajt është e rrezikshme për një sistem demokratik.


Duhet mbajtur fryma e protestës dhe kjo mbahet përmes rrugës dhe jo ligjërimit. Unë nuk jam ithtar i dhunës. Protestat duhet të jenë demokratike deri në fund. Masiviteti i tyre është presioni që duhet ti behët deri në fund. Rama është një politikan që nuk lexon pakënaqësitë e popullit, pakënaqësitë e politikës dhe opozitës. Në demokraci, mbushja e rrugës është sinjal që duhet të ndryshohet qeveria dhe sjellja e saj, – tha Mustafaj. – Edi Rama nuk ka treguar dhe nuk po tregon që është një burrë shteti. Unë besoj se Edi Rama e keqkupton edhe atë që e quani ju mbështetjen e ndërkombëtarëve. Evolucioni i ndërkombëtarëve është i pritshëm. Opozita ka shkuar aq larg sa nuk mund të ketë kthim pas. Unë nuk e kuptoj se pse i kërkojnë kthim pas Bashës.  Edi Rama ka një natyrë shumë bizantine dhe ai do të gjejë kandidatë të pavarur nga opozita dhe do të krijojë një konfiguracion shumëngjyrësh në zgjedhjet lokale dhe kjo nuk do më çudiste shumë nëse do ta bënte Edi Rama, përfundoi ai.