Një ish-oficere e kundër-zbulimit e Forcave Ajrore amerikane është akuzuar si spiune e qeverisë iraniane dhe se ka ndihmuar Iranin të vërë nën shënjestër agjentë të tjerë të zbulimit amerikan. 39 vjeçarja Monica Elfriede Witt, u padit nga një juri e madhe federale në Uashington me akuzën se ka dekonspiruar tek qeveria iraniane emrit e koduar dhe misionin sekret të një programi ushtarak të posaçëm amerikan. Sipas një aktakuze që u bë publike të mërkurën ajo akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar shërbimet iraniane të zbulimit për të vënë nën shënjestër ish-bashkëpunëtorë të saj.


Në aktakuzë përfshihen edhe katër shtetas të tjerë iranianë. Ata përballen me akuza për konspiracion, ndërhyrje në kompjutera dhe vjedhje identiteti në lidhje me synimin e Monica Elfriede Witt-it për të shënjestruar ish-bashkëpunëtorët e saj në vitet 2014-2015. Të katër personat u identifikuan si Mojtaba Masoumpour, Behzad Mesri, Hossein Parvar dhe Mohamad Paryar. Sipas prokurorëve të katër prsonat duke përdorur llogari të rreme në mediat sociale dhe duke punuar në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane, u përpoqën të sigurojnë qasje të fshehtë në kompjuterat dhe rrjetet e atyre që kishin vendosur nën objektiv.


“Ky rast nënvizon rreziqet për profesionistët tanë të zbulimit dhe se deri ku mund të shkojnë kundërshtarët tanë për t’i identifikuar, ekspozuar apo vendosur ata nën shënjestër, duke bërë që në disa raste të rralla, ti kthejnë ata kundër kombit për të cilin janë betuar se do ta mbrojnë”, tha John Demers , ndihmës Prokuror i Përgjithshëm për sigurinë kombëtare.


“Kur profesionistët tanë të zbulimit vendosen nën shënjestër apo tradhëtohen Divizioni i Sigurisë Kombëtare do të vazhdojë pa pushim të kërkojë drejtësi kundër keqbërësve”, tha ai. Lindur dhe rritur në Teksas, Monica Elfriede Witt ka shërbyer si një agjente e kundër-zbulimit për Forcën Ajrore amerikane nga viti 1997 deri 2008 dhe si kontraktore nga viti 2008 deri në vitin 2010. Terry Phillips, një agjent special i zyrës së Forcave Ajrore për hetimeve të posaçme, tha se Witt filloi të punojë për qeverinë iraniane pas largimit nga ushtria amerikane. Veprimet e saj janë “një tradhti ndaj sigurisë së vendit tonë, ushtrisë sonë dhe popullit amerikan”, tha Phillips gjatë një konference për gazetarët.