Qeveria shqiptare vendosi ditën e djeshme, në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave, ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori në Kosovë. Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi këtë vendim si të veçantë, ku çdo qeveri në historinë e vendit do të kishte dashur ta bënte. Berisha u shpreh se pas konsultimit dhe me Presidentin e Republikës është rënë dakord që zoti Islam Lauka të jetë ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë. “Është diskutuar dhe me Presidentin e Republikës, si dhe është rënë dakord që ambasadori ynë në Prishtinë do të jetë një nga personalitetet më të shquara të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një nga diplomatët me eksperiencë të kësaj ministrie, një diplomat që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës dhe që e njeh mirë problemin. Ky është zoti Islam Lauka”, - tha kryeministri. Sipas Berishës, i ngarkuari me punë në Zyrën e Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban aktualisht. “Zoti Arben Çejku do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban sot. Mund t’ju them se zoti Çejku e ka kryer me shumë dinjitet, përkushtim dhe vendosmëri detyrën që mbante deri tani”, - u shpreh Berisha.
20 Shkurt 2008