Brenda sesionit të verës do të përfundojë reforma zgjedhore. 

 Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Kastriot Islami, u shpreh dje se angazhimi i PS-së është maksimal që kjo reformë, të përfundojë para mbylljes së punimeve verore të Kuvendit. Gjatë një komunikimi me gazetarët, deputeti Islami bëri të ditur, se "tashmë reforma pritet të kalojë në aspektin ligjor, sepse konceptimi i saj përmes përcaktimit të sistemit zgjedhor është i qartë, nëpërmjet amendamenteve kushtetuese". "PS ka tashmë një platformë të qartë dhe për më tepër me një përcaktim kushtetues. Një grup i rëndësishëm juristësh po e detajojnë dhe po e përkthejnë atë në nene, që do të pasqyrohen në kodin zgjedhor", tha Islami. Për këtë qëllim, vijoi ai, të gjithë mekanizmat parlamentarë janë prezent dhe në momentin që do të jenë të gatshme këto përcaktime, përmes neneve ligjore, parlamenti shqiptar do të realizojë ndryshimet në kodin zgjedhor dhe plotësimin e asaj që quhet reformë zgjedhore. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, është angazhuar me një grup juristësh përgatitjen e amendamenteve të kodit të ri zgjedhor, i cili do të reflektojë sistemin zgjedhor proporcional rajonal. Ndërkohë, mësohet se edhe në kampin blu po punohet me juristët në përgatitjen e draftit të kodit zgjedhor, i cili në përbërjen e tij do të ketë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.