Qëllimi kryesor i mbledhjes së asamblesë ishte pikërisht futja e Partisë Socialiste në Parlament. Pak minuta pas mbledhjes së këtij forumi të selisë rozë, deputeti i PS-së, Kastriot Islami tha se ballafaqimi numerik nuk ishte pikësynim i grupit që hartoi një rezolutë të dytë që i kundërvihej asaj të kryetarit të partisë Edi Rama. Sipas tij, kreu i socialistëve hoqi dorë nga qëndrimi i tij fillestar për të bojkotuar Kuvendin pas presionit të faktorit ndërkombëtar.
Deklarata
Ndryshimi i dy rezolutave kishte të bënte pikërisht me faktin se në atë të hartuar nga grupi i Blushit kërkohej futja e PS-së në Kuvend dhe bërja opozitë pikërisht nga ky institucion. “Qëllimi kryesor i mbledhjes së asamblesë së Partisë Socialiste nuk ishte thjeshtë ballafaqimi numerik, por është tërheqja nëpërmjet rezolutës së firmosur nga 38 vetë, e mendimit për ata futur Partinë Socialiste në Parlament. Ky është mesazhi kryesor i kësaj mbledhje”, u shpreh Islami gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”. Sipas tij, hartimi i kësaj rezolute që u firmos nga 38 anëtarë të asamblesë së PS-së bëri që shumica e anëtarëve të tërhiqeshin nga qëndrimi i propozuar fillimisht nga Rama dhe grupi i tij për sa i përket bojkotit të Kuvendit. “Ata e rrëzuan rezolutën duke ruajtur propozimet e tyre kontradiktore dhe shpesh herë jo në mënyrë logjike. Por nga presioni që u bë nëpërmjet rezolutës së firmosur nga 38 vetë u arrit që përfundimisht Partia Socialiste të futet në Parlament dhe të mos e bojkotojë atë”, vijoi më tej Islami.
Asambleja
Ndërkohë edhe gjatë fjalës së tij pa praninë e mediave në mbledhjen e asamblesë zyrtari i lartë i Partisë Socialiste ka vënë theksin pikërisht te kontradikta e rezolutës së hartuar nga kryetari Edi Rama. Sipas tij: “Ndërlidhja e rezolutës për moshumbjen e zgjedhjeve me ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për shkak të humbjes së zgjedhjeve është paradoksale”. Por burime nga asambleja bënë të ditur për gazetën, se Islami ka deklaruar që presioni i ndërkombëtarëve bëri që Rama dhe grupi që e mbështeste të tërhiqej nga bojkotimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet. “Tërheqja nga bojkoti i Kuvendit u bë për shkak të rezolutës Blushi dhe të presionit të ndërkombëtarëve. Alibia për zgjedhje të papranueshme thjesht për të justifikuar rikandidimin e Ramës”, mësohet të ketë deklaruar sekretari për çështjet ligjore në PS.