Dr. Prof. Flamur Tartari

Ka kaluar rreth një shekull kur në mbarë botën shkencore u zbuluan nga shkencëtari i shquar gjerman Wilhelm Rontgen, rrezet X (RONTGEN) që i shërbyen dhe i shërbejnë shkencës së mjekësisë dhe mbarë njerëzimit në diagnostikimin dhe zbulimin e shumë sëmundjeve. Kaluan më tepër se 25 vjet, kur edhe në vendin tonë për herë të parë këto rreze u futën dhe u përdorën nga mjeku durrsak Ismail Tartari, i cili lindi dhe u rrit në Durrës, duke marrë një edukatë qytetare nga vetë familja që ai rridhte. Duhet të cilësoj se gjyshi i tij dhe i ati janë ndër të parët, që krahas shumë njerëzve të shquar durrsakë, që vendosën e pritën Ismail Qemalin dhe ngritën flamurin në Durrës, me gjithë luftën e madhe të armiqve të popullit shqiptarë. Ai fitoi një bursë në shkollën e mesme në Shën Miter të Corone-s në Kalabri, ku mbaroi shkëlqyeshëm, saqë vetë shkolla e rekomandoi atë që më 1914, me ardhjen e princ Vidit, ndër të tjerët duhet të përshëndeste edhe i riu I.Tartari në emër të të rinjve të shkolluar durrsakë. Ishin përsëri këta intelektualë durrsakë që e nisën djalin e tyre në Romë, Itali, ku filloi Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm dhe më 1926 u kthye në atdhe dhe u vendos në qytetin e tij të lindjes në Durrës. Më datë 08.08.1926, me kërkesën e Bashkisë së Durrësit u emërua nga drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, profesori i shquar Rifat Frashëri, mjek i Bashkisë së Durrësit. Si një mjek i ri, ai ishte shumë entuziast në punën e tij. Dr. Ismail Tartari ishte ndër të parët që ngriti zërin për ndërtimin e një spitali modern në Tiranë, së bashku me dr.R.Frashërin, dr.Osman Jonuzin, dr.S.Tefikun si dhe intelektualët e shquar tiranas, si Av. Ali Begeja etj., që bënë të mundur që ky spital të ndërtohej dhe të ishte më moderni në Ballkan dhe për të cilin nderi më i madh, më 1 shtator 1932, në përurimin e tij fjala përshëndetëse në emër të drejtorit të spitalit dhe njëkohësisht të drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë, të kirurgut tonë të shquar (themeluesit të kirurgjisë shqiptare) dr. OSMAN Jonuzit (Gjirokastra), i takoi Ismail Tartarit, që njëkohësisht u emërua si drejtor i Institutit të Rontgendiagnostikës. Edhe sot mjekët e shquar që e zhvilluan dhe po e zhvillojnë atë krahas vendeve të ndryshme evropiane, flasin me respekt për këtë mjek të madh të vendit tonë,duke kujtuar shpesh fjalët e Tartarit: “Pa zhvillim të radiologjisë në Shqipëri, nuk ka zhvillim të shkencave të mjekësisë”. Ai punoi pa u lodhur, pa u mbrojtur nga rrezatimi, duke depistuar të gjithë zonat kufitare të vendit, duke bërë rreth 70 mijë radioskopi (vitet 1945-‘48), si ushtarëve të rij, ashtu dhe popullit të zonave, duke fituar respektin kudo që punonte. Gjithashtu ai ka dhënë një kontribut të madh edhe në kirurgji e urologji, ku për herë të parë para 70 vjetëve ka bërë radiografinë së bashku me teknikun Anton Mima, për aparatin urinar. Duhet përmendur edhe skopia e parë që i ka bërë mbretit Zog, i cili edhe pas shumë vjetësh fliste për emocionet që kishte ndjerë në ato momente. Ai fliste për punën shumë delikate që kishte mjeku, prandaj ai gjithmonë duhej respektuar dhe ne shqiptarët duhet të kemi respekt për mjekët tanë. Pra, dr.Ismail Tartari gëzonte një popullaritet të madh jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin dhe kjo ishte rrjedhojë e punës së madhe përkushtuese në fushën e radiologjisë. Në punën e tij spikaste në radhë të parë ndjenja njerëzore nga edukata prej një familje me tradita qytetare atdhetare durrsake, sepse përpara aparatit të radioskopisë të gjithë ishin të barabartë, qofshin këta fshatarë, punëtorë, intelektualë apo qeveritarë, se kështu respektonte “Betimin e Hipokratit”…. Prandaj i bëj thirrje organeve përkatëse, shoqatës së Durrësit  që të vlerësojnë jo vetëm njerëz të epokës së 50 viteve të fundit, por edhe më parë, për të vënë në vendin e duhur figurat e bijve durrsakë, sepse Ismail Tartari dhe shumë të tjerë durrsakë e meritojnë plotësisht vendin e nderit për qytetin si dhe rruga pranë shtëpisë ku ai lindi 105 vjet më parë, duhet të marrë patjetër emrin e tij. Historia është shumë kokëfortë dhe flitet me fakte; duhen vlerësuar pra familjet e vjetra qytetare për të shmangur shumë abuzime në këtë drejtim… Si përfundim, menjëherë pas vdekjes se dr. Tartarit, në 1968, familja e tij ia dhuroi bibliotekën dhe aparatin e skopisë Spitalit Ushtarak. Është nga të parët që më 1931 është dekoruar nga mbreti i Italisë me dekoratën e lartë të “Cavalierit” për shërbime mjekësore në dobi të njerëzimit. Këtë dekoratë e ka marrë nga Presidenti Champi edhe një mjek farmacist, Ismail Boçari, që jeton ende në Itali. Kjo dekoratë i është dhënë për kontributet që kanë dhënë në fushën e mjekësisë në ndihmë të Shqipërisë. Kujtimi i dr.I.Tartarit duhet të mbetet një shembull përkushtimi ndaj detyrës dhe popullit për brezin e ri të mjekësisë shqiptare.