ITALI - Sy të nxirë nga grushtet, dhëmbë të thyer dhe fraktura në fytyrë. Është ky "shërbimi" që i ka dhënë turistit belg një shqiptar të cilit i kishte "buzëqeshur" jeta në Itali dhe ishte bërë pronari i një restoranti në Venezia. E gjithë skena e dhunës ka ndodhur vetëm për një biftek! Turisti 42-vjeçar Gunther Van Eyck i cili ka përfunduar në dyert e spitalit si pasojë e lëndimeve të marra thotë se veçse "hëngri dru" u kërcënua nga pronari i restorantit me fjalët: Jam shqiptar, të pres fytin! Mediat italiane nuk e bëjnë të ditur emrin e shqiptarit. Është vetë turisti belg i cili ka rrëfyer për mediat italiane versionin e tij. 42-vjeçari është pronar i një kompanie që merret me riparimin e anijeve në Itali. Të hënën pasdite, Eyck me bashkëshorten e tij kishin shkuar në restorant "Casanova", por kamarieri ka ngatërruar porosinë dhe në vend të biftekut me salcë berneze i ka sjellë një me piper. "Kamerieri pranoi se ka gabuar porosi dhe shkoi të sillte një tjetër. Dhjetë minuta më vonë, na vjen i njëjti biftek, por i pastruar në pjesën e sipërme dhe me një salcë sipër, po jo atë që kishim kërkuar. Ishte një salcë e keqe, e hidhur. Ime shoqe nuk mund ta hante", - rrëfen turisti belg. Sigurisht që nuk mund të mbeteshin të kënaqur, përfshi faktin që bifteku nuk kushtonte pak, por 28 euro! "Atëherë kërkova llogarinë dhe më thanë që kushtonte 28 euro. U thashë se kjo nuk ishte korrekte dhe bifteku që më kishin sjellë nuk ishte ai që kërkoja. Kamerieri u përgjigj se në Venecia ai lloj bifteku quhej me salcë berneze. Unë kundërshtova. Në atë moment, një burrë, që mendoj se ishte pronari, më pa shtrembër - Mbylle, ule zërin në lokalin tim, më tha. - Unë jam klienti, - i thashë. - Ti nuk e di kush jam unë. Unë jam shqiptar. Dhe mund të ta pres fytin këtu, - më tha duke më bërë me dorë gjestin për këtë veprim. Më pas më gjuajti një grusht të fuqishëm në sy. Rashë përtokë. Erdhën të tjerë dhe më gjuajtën me grushte e shkelma. Nuk e di sa ishin, nuk e di sa zgjati ", përfundon ai. Redaksia Online (Gre.M/Shqiptarja.com) 19 Ndiqni Shqiptarja.com në Facebook dhe në Twitter TAG: turist shqiptar itali restorant biftek