MILANO – Lideri historik i Lega Nord në Itali, Umberto Bossi, ka dhënë dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm i partisë, bëri të ditur agjencia ANSA. Ai do të vazhdojë të mbajë postin e presidentit të partisë. Deri në zgjedhjen e një sekretari të ri, partia do të drejtohet nga një treshe politikanësh: ish-ministri Brendshëm Roberto Maroni, Roberto Calderoli dhe Manuela Dal Lago.

Dorëheqja e Bossi-t vjen 20 vjet pas fitores së tij të vërtetë elektorale, atë të vitit 1992. Hetimet ndaj financierit të Lega Nord, Francesco Belsito, të kryera nga Prokuroria e Milanos, Napolit dhe Reggio Calabria-s janë shkak i kësaj dorëheqje të tij.

“Jap dorëheqjen për të mirën e lëvizjes dhe të militantëve. Prioriteti është e mira e Lega-s dhe vazhdimi i betejës”, tha Bossi. Partia e tij, përveç kërkesës së hershme për pavarësi nga Italia, njihet edhe për politikat e saj kundër emigrantëve.

Financieri i Lidhjes së Veriut hetohet për vjedhje ndaj Shtetit, riciklim dhe pasuri të paligjshme. Nga hetimet kanë dalur përgjime telefonike që përfshijnë vetë liderin e partisë. Si telefonata mes Belsito-s dhe Nadia Dagrada, sekretare administrative e partisë, në të cilën flitet hapur për para në të zezë që Bossi i jepte më parë partisë.

Sipas hetuesve, një pjesë e parave që ka dalur nga arkat e Lega Nord ka përfunduar në xhepat e Umberto Bossi-t dhe Roberto Calderoli-t, edhe ky një prej figurave historike të Lega-s.

(im/shqiptarja.com)