Në Itali vijojnë arrestimet e shqiptarëve që janë përfshirë në trafikun e drogës. Mediat italiane raportojnë sot se një 41-vjeçar nga Lushnja u arrestua pas kontrollit në stacionin e autobusave në Siçili pasi u kap duke transportuar 600 gr kokainë të pastër.


I arrestuari është Arben Qosja. Ai gjendej në stacion së bashku me disa shqiptarë të tjerë, të cilëve iu kërkua që të tregonin dokumentet dhe bagazhet.


41-vjeçarit shqiptar gjatë kontrollit iu gjet një zarf, i cili përmbante sasinë e drogës. Duke marrë parasysh pastërtinë e kokainës, vlera e saj në treg do të ishte mbi 50,000 euro.


Përveç lushnjarit, një tjetër shqiptar është arrestuar në Itali, në zonën e Maranelos me 3 kg kokainë.


Valentin Tuku, 37 vjeç jetonte me dokumente të rregullta në zonën e Maranelos, por ishte nën survejim nga policia për shkak të dyshimeve që kishin lindur për përfshirjen e tij në shitjen e narkotikëve.


Pas mbledhjes së provave, hetuesit kontrolluan banesën e Tukut dhe në një çantë shpine gjetën një pako me kokainë 1 kg, ndërsa në garazh u gjetën dy të tjera.


Ato ishin fshehur poshtë shalës së motorit, të ngjashme me ato që u gjetën disa minuta më parë. Vlera e kokainës në treg shkonte 600 mijë euro.


Valentin Tuku është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe ndodhet në burg, deri në pritje të gjykimit nga ana e autoriteteve italiane.