Policia e Comos në Itali ka sekuestruar një sasi prej 12 kg kokainë si dhe më shumë se 5 kg heroinë, ndërsa në pranga kanë përfunduar tre shqiptarë.


Shqiptarët e arrestuar janë Edison Proshka, 27 vjeç, Jurgen Verbofshi, 19 vjeç dhe Agrim Proshka, 36 vjeç.


Agjentët e seksionit kundër krimit ndërhynë të mërkurën e kaluar me arrestimin e dy “transportuesve” të supozuar shqiptarë dhe ndalimin e një të treti. Edison Proshka dhe  Jurgen Verbofshi, pa precedentë të mëparshëm, kanë përfunduar në pranga pas arritjes me dy makina në Mariano Comense. Në një garazh, policia gjeti vetëm një karrocë të madhe blu me 12.5 kg kokainë dhe heroinë si dhe armë dhe municione, njofton policia italiane.


Ndërkohë gjatë kërkimeve u gjetën edhe 5.5 kg drogë në një qese në bagazhin mjetit Citroen C3 me targa italiane, drejtuar nga 19 vjeçari.


Në apartamentin ku jetonte 38-vjeçari Agim Proshka u gjetën edhe 8 400 euro. Brenda platformës së makinës C3, nën vendet e pasme, u zbulua një “kuti” e aftë për të mbajtur deri në 20 kg drogë.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)