Qeveria italiane ka ashpërsuar kursin e saj kundër refugjatëve në fshatin Riace në Kalabri. Pas arrestimit të kryetarit të bashkisë para dhjetë ditësh, Ministria e Brendshme tani kërkon zhvendosjen e refugjatëve që jetojnë në këtë fshat dhe dërgimin e tyre në vende të tjera.


Zhvendosja fillon javët e ardhshme, ndërkohë duhet të ndërpriten edhe projektet e filluara për integrimin e refugjatëve në Riace. Ministri i Brendshëm Salvini ka shkruar në Twitter se “parregullsitë me përdorimin e parave publike nuk mund të tolerohen, as në rastet kur ato janë përdorur për emigrantët”.


Ky vendim vjen pas arrestimit të kryetarit të Komunës së Riace, Domenico Lucano, pas akuzave për organizimin e martesave për shkaqe migrimi.


Prokuroria po heton kundër tij për shkak të nxitjes dhe ndihmës së “imigrimit ilegal në vend”. Ai fajësohet ndër tjera edhe për keqpërdorime, dhënien e punëve për organizatat e emigrantëve në Riace.


Kryetari i njohur si Mimmo kishte pushtuar ballinat e mediave për programin e tij në mirëseardhjen e emigrantëve në Kalabri, duke iu ofruar shtëpi dhe punë, me shpresën se do të ndikojë në ekonominë e vendit.


Ai e nisi këtë sistem më 1998 nën qeverinë e kaluar dhe që nga atëherë qindra emigrantë i janë bashkuar këtij qyteti të vogël. Suksesi i programit ishte përkrahur nga të gjithë si model i integrimit , duke bërë që kryetari Luciano të zgjidhjet në mesin e 50 liderëve më të mirë në botë më 2016.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)