Prej datës 1 janar të këtij viti, paga që duhet të ketë një emigrant shqiptar në Itali, për të tërhequr familjen e tij, duhet të jetë më e madhe. Kjo, pasi qeveria italiane ka rritur “çekun social” në vendin fqinj, që është edhe kriteri matës për pagën e një emigranti që dëshiron të bëjë bashkim familjar.
Ndryshimet
Një emigrant shqiptar në Itali duhet që të realizojë një të ardhur vjetore, nga burime të ligjshme, jo më të vogël se sa shuma e çekut social, që shumëzohet me gjysmën për çdo familjar kandidat për ribashkim familjar.
Kjo shumë rritet për çdo person në familje, ndërkohë që për fëmijët dhe në përgjithësi për ata që janë në mbrojtje, duhet jo më pak se dyfishi i çekut social.
Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë në moshë nën 14 vjeç apo me dy a më shumë familjarë të mbajtësve të statusit të mbrojtjes së përkohshme do të mjaftojë një e ardhur jo më vogël se dyfishi i çekut social.
Për vitin 2010, çeku social është i barabartë me 5.417,65 euro, çka do të thotë se për të kryer bashkim familjar me bashkëshorten dhe dy fëmijët do të duhej një e ardhur vjetore 13.694,75 euro.
Disa Sportele Unike mbi Imigrimin, si organe kompetente për shqyrtimin e këtyre kërkesave, janë shumë të ngurtë në përllogaritjen e të ardhurave, duke kërkuar edhe në qindarka respektimin e ligjit, ndërsa disa të tjerë janë më fleksibël dhe mbajnë parasysh qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punësimit dhe disa parametra të tjerë, kur të ardhurat shmangen jo shumë nga kufijtë ligjorë.
Bashkimi familjar
Për të kryer bashkim familjar, tashmë dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet vetëm në Sportelin Unik të Emigracionit. Të interesuarit që duan të kërkojnë bashkim familjar, duhet të dorëzojnë pranë Sportelit për Legalizim të Ambasadës Italiane në Tiranë ditën e takimit dhe të pajisen me formularin e bashkangjitur, të plotësuar në çdo pjesë dhe të firmosur mundësisht nga qytetari shqiptar që banon në Itali dhe që kërkon bashkimin familjar. Në rast pamundësie, i firmosur nga familjari që banon në Shqipëri dhe që duhet të kërkojë vizë për bashkim familjar. Formulari i kërkuar, që duhet të dorëzohet në origjinal në sportel, duhet të jetë i shoqëruar nga kopja e lejes së qëndrimit në Itali të personit që kërkon bashkimin familjar dhe fotokopje të dokumenteve që do të vlerësohen.
Ndërkohë, për prindërit që janë në ngarkim e që kërkojnë bashkimin me fëmijët në Itali, duhet dorëzuar certifikatë familjare, nga e cila të rezultojnë të gjithë fëmijët e lindur nga martesa, edhe nëse janë në emigrim, fëmijët e martuar ose të ndarë nga familja; kopje e certifikatës familjare dhe kopje e lejes së qëndrimit të fëmijëve që jetojnë në Itali. Në rast se fëmijët jetojnë jashtë shtetit: kopjen e lejes së qëndrimit, të përkthyer dhe të legalizuar nga Zyra Italiane Konsullore kompetente, ku legalizimi të jetë në origjinal dhe jo me faks.