MILANO- Kryeministri italian Silvio Berluskoni la sot paradite spitalin San Rafaele ku ndodhej i shtruar që prej të dielës pas sulmit në sheshin Duomo të Milanos.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Berluskoni është shfaqur i qeshur dhe ka përshëndetur gazetarët me dorë. Në fytyrën e Berluskonit dukej një fasho e cila kishte mbuluar hundën dhe faqen. Më pas korteu është drejtuar në rezidencën Arcore të kryeministrit italian.

Mjeku personal i kryeministrit, Alberto Zangrillo, i kontaktuar nga media italiane ka deklaruar se Berluksoni kishte kaluar një natë të qetë dhe me më pak dhimbje në krahasim me ditët e mëparshme. Dje Zangrillo informoi se Berluskoni duhej të hiqte dorë nga aktivitetet publike impenjative për të paktën 10- 15 ditë, ndërsa zëdhënësi Bonaiuti shtoi se kishte shumë mundësi që të mos mbante konferencën e përvitshme të fundvitit, por nuk ka përjashtuar faktin që kryeministri mund të kalonte natën e Krishtlindjeve mes të dëmtuarve nga tërmeti në Abruzzo.

Në Arcore, një poster i madh i bardhë “Mirëserdhe në shtëpi” është vendosur në hyrje të vilës së kryeministrit Berluskoni. Ndërsa të gjitha rrugët të cilat të cojnë në hyrje të vilës janë blinduar nga forcat e policisë që nuk lejojnë gazetarët të afrohen në një distancë prej 100 metrash. Dhjetëra trupa televizive italiane e të huaja presin që kryeministri të hyjë në rezidencës e tij.

Berluskoni u shtrua në spital pas sulmit që pësoi të dielën në sheshin Duomo të Milanos. 42 vjecari me probleme mendore, Massimo Tartaglia qëlloi në fytyrë kryeministrin me një statujë, miniaturë e sheshit Duomo, duke i shkaktuar thyerjen e hundës dhe të dy dhëmbëve.

Ndërkohë e përditshmja zvicerane «Le Matin» zbulon se Berluskoni këto ditë mund ti drejtohet një klinike zvicerane, “Ars Medica” në Ticino,
Për “të fshirë cdo shenjë të sulmit në fytyrë”. Në 2003 në klinikën “Ars Medica” – shkruan gazeta – Berluskoni i ishte nënshtuar disa ndërhyrjeve kirurgjikale estetike.
(s.g/BalkanWeb)