Lideri i opozitës, Silvio Berluskoni, kërkoi zgjedhje të menjëhershme në një takim me Presidentin italian, duke synuar kështu rikthimin e tij në pushtet pas kolapsit të qeverisë së qendrës së majtë, javën e shkuar. E ndërsa qendra e majtë, përfshirë edhe vetë Presidentin, Xhorxho Napolitano (majtist), mbështet një qeverisje të përkohshme që do të reformonte ligjet zgjedhore para se Italia të shkonte sërish në zgjedhje, bëhet e vështirë gjetja e një rrugëzgjidhjeje. "Si mund të mendoni të lini në pritje një vend që ka nevojë për një qeverisje reale, urgjentisht, ndërkohë që ne humbasim kohë në kërkim të diçkaje që nuk ka shanse të gjejë një platformë të përbashkët", tha Berluskoni para gazetarëve, pas takimit me Napolitanon. Valter Veltroni, shefi i Partisë Demokratike që është edhe rivalja kryesore e formacionit të Berluskonit, i tha Presidentit Napolitano se zgjedhjet duhet të mbahen në qershor ose edhe në pranverën e 2009-ës, pas kryerjes së reformave të thella politike dhe ekonomike. "Zgjedhjet do të ishin destabilitet", tha Veltroni. Napolitano, u takua dje me liderët e partive kryesore, në ditën e katërt dhe të fundit të bisedimeve të krizës. Takimet përfunduan në orën 18.00 dhe Napolitano mund t‘i kërkojë dikujt si lideri i Senatit, Franko Marini, të përpiqej të krijonte një qeveri të përkohshme apo mund të kërkojë akoma më shumë kohë. Një burim i afërt me bisedimet tha se nuk kishte një shumicë të qartë në mbështetje të zgjedhjeve të parakohshme për Dhomën e Ulët të deputetëve dhe Senatin, çka lë të kuptohet se Napolitano ka më shumë gjasa të përpiqet të emërojë një administratë të përkohshme. "Për momentin, partitë politike që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, nuk përbëjnë shumicën absolute", tha ky burim.

Rënia e qeverisë së Prodit, erdhi si pasojë e "dezertimit" të një partie të vogël nga koalicioni i tij, që i kushtoi humbjen e shumicës në Senat, nga ku doli pa votëbesim të enjten e shkuar. E një situatë e tillë, vjen në një moment të ndjeshëm për ekonominë e tretë, më të madhe, në eurozonë. Të dhënat e fundit tregojnë se besimi i biznesit italian është dëmtuar shumë madje ka arritur nivelet më të ulëta që nga fundi i 2005-ës, kur Berluskoni ishte në pushtet dhe ekonomia kishte mbetur në vend. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike për 2008-ën do të jetë 0.9 për qind dhe jo 1.4 për qind është ishte përllogaritur më parë. Analistët thonë se nëse Berluskoni do të kishte rrugë të hapur, Italia do të shkonte në zgjedhje me të njëjtat rregulla elektorale që fajësohen për vështirësimin e jetës së qeverisë 20-mujore të Prodit. Disa ekonomistë në anën tjetër shqetësohen se një qeveri tjetër Berluskoni, do të zhbënte gjithçka arriti Prodi në shkurtimin e deficitit buxhetor. Gjithsesi, sondazhet i japin Berluskonit një avantazh prej 10 pikësh kundrejt Prodit dhe ai ka arsye të ndiejë fitoren në rast zgjedhjesh, për më tepër në kushtet kur disfata e Prodit është ende e freskët në mendjet e zgjedhësve. Manjati i mediave dhe aleatët e tij, argumentojnë se reforma elektorale mund të kryhet në vazhdim.