Firmosen 2 miliardë euro, bisedime për 3 miliardë të tjera


Berisha: Shqipëria, superfuqi energjitike














Një investim italian prej 2.5 miliardë eurosh, ndërkohë që janë parashikuar edhe 3 miliardë euro të tjera që do të investohen në të ardhmen. Kjo, falë nënshkrimit të 6 marrëveshjeve të firmosura dje në prani të Kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ku më të rëndësishmet janë ato në sektorin energjitik. Kryeministri shqiptar ftoi investitorët italianë që të vijnë, pasi do të gjejnë një klimë të mirë biznesi, duke përmendur edhe faktin që sipas Berishës, Shqipëria është vendi me taksa më të ulëta në Evropë. Ndërkohë që investimi parashikon energji nga era, Kryeministri shqiptar ripërsëriti ambicien e tij për të prodhuar energji bërthamore, duke theksuar se në vizionin e tij Shqipëria duhet të bëhet një superfuqi energjitike, pasi potencialet janë të mëdha. “Me Kryeministrin Berluskoni diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat, së pari, në atë energjitike. Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi t[ vogël energjitike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliardë kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavatë të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavatëve të tjerë në këtë sektor. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe tek Italia unë shikoj partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor”, - tha Berisha në gjuhën italiane krah homologut të tij mik. Por projektet më të afërta mes dy qeverive të vendeve fqinje është pikërisht nënshkrimi i 6 marrëveshjeve dhe akteve të bashkëpunimit me qeverinë italiane, si dhe me disa kompani të mëdha italiane. Marrëveshjet u nënshkruan në prani të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni, pas bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve. Duke u ndalur te marrëveshjet e firmosura, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "këto marrëveshje kapin shumën prej 2 miliardë eurosh, por marrëveshje të tjera prej 3 miliardë eurosh do të firmosen së shpejti me firma të tjera italiane për t'u hapur rrugën investimeve të reja”. Gjithashtu, kreu i qeverisë shqiptare kërkoi ndihmën e Italisë për realizimin e erës dixhitale në vendin tonë, pra të përhapjes së internetit. Ai vuri në dukje se "tashmë ekziston një projekt për ngritjen e kabineteve të informatikës në të gjitha shkollat e vendit". Dy vendet, sipas Kryeministrit Berisha, "do të bashkëpunojmë fuqishëm edhe në sektorin e turizmit, kulturës dhe shëndetësisë". Në përfundim, Kryeministri veçoi bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër kriminalitetit, e cila sipas tij, mbetet si "një detyrë për të dyja qeveritë". "Ramë dakord që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim të shkëlqyer dhe premtova që, duke filluar nga java që vjen, mund të fillojmë procedurat për transferimin në Shqipëri të të burgosurve shqiptarë që vuajnë aktualisht dënimin nëpër burgjet italiane", - tha zoti Berisha. Në këtë drejtim, ai shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të firmosur çfarëdolloj marrëveshjeje për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar








Marrëveshjet Itali-Shqipëri








Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, dhe ambasadori italian, Saba D’Elia nënshkruan Marrëveshjen dypalëshe në fushën e Punës si dhe të Protokollit Zbatues





Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi me ambasadorin italian, Saba D’Elia, Marrëveshjen Kuadër për Bashkëpunimin për Zhvillim





Ministri i Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë, Genc Ruli, dhe drejtori ekzekutiv i grupit “Falcione”, Edmondo Falcione, firmosën lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit





Ministri i Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë, Genc Ruli dhe presidenti i grupit “Moncada Costruzioni”, Salvatore Moncada, nënshkruan deklaratën e përbashkët për realizimin e një impianti eolik në jug dhe juglindje të Vlorës dhe të linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar





Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe drejtori ekzekutiv i “Colacem”, dr. Colaiacovo, firmosën deklaratën e përbashkët për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldren





Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe presidenti i “Todini Costruzioni Generali”, zonja Todini, firmosën deklaratën e përbashkët për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Damës