Instituti i Statistikave Europiane, Eurostat, ka publikuar sot raportin e vendeve të Bashkimit Europian mbi numrin e emigrantëve të pajisur me nënshtetësi europiane.


Italia renditet në vend të parë me numrin më të lartë të nënshtetësive të dhëna dhe emigrantët shqiptarë në Itali kanë numrin më të lartë të emigrantëve të pajisur me nënshtetësi italiane.


 Në nivel europian, sipas këtij raporti emigrantët shqiptarë së bashku me emigrantët marokenë e turkë, kanë numrin më të lartë të emigrantëve të pajisur me nënshtetësinë e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.


Ky raport i cili është bazuar në të dhënat statistikore të vitit 2015 tregon tendencën në ulje të dhënies së nënshtetësisë së emigrantëve në vendet e Bashkimit Europian.


Në vitin 2015 janë 840 mijë emigrantë që kanë marrë nënështetësinë europiane.


Një vit më parë më 2014, ky numër ka qënë më i lartë e janë rreth 890 mijë emigantë që e kanë marrë nënshtetësinë.


Ndërsa në vitin 2013 ky numër ka qënë akoma dhe më i lartë e janë rreth 980 mijë emigrantë të pajisur me nënështetësinë e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.


Raporti i Eurostat ka renditur  Italinë në vendin e parë ndër vendet e BE me numrin më të lartë të nënshtetësisë italiane dhënë emigrantëve në vitin 2015.


Sipas raportit janë rreth 178.035 emigrantë që përgjatë vitit 2015 kanë marrë nënshtetësinë italiane, e emigrantët shqiptarë renditen në vendin e parë.


Emigrantët shqiptarë përbëjnë 19.7 % të numrit të përgjithshëm të emigrantëve në Itali të pajisur me nënshtetësi italiane më vitin 2015.


Pas tyre renditen me 18.2% emigrantët marokenë e 8.1% emigrantët rumunë.


Pas Italisë, Britania e Madhe renditet në vend të dytë me 118 mijë emigrantë të pajisur me nënshtetësi angleze, e Spanja në vend të tretë me 114.351 emigrantë që kanë marrë nënshtetësinë spanjolle.


/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter