05/06/2005 Kombëtarja italiane ka marrë një pikë shumë të vlefshme në Norvegji, që e afron më shumë me Botërorin
Ka përfunduar në barazim 0 : 0 ndeshja mes Norvegjisë e Italisë, që ka qenë e ftohtë në të gjitha drejtimet, jo vetëm në aspektin e motit me shi që ka shoqëruar ndeshjen. Italia paraqitej në Norvegji me shumë mungesa, ku binte në sy ajo e Françesko Totit, ndaj Lipi hidhte në fushë një skuadër të kujdesshme, me vëmendje të veçantë për mbrojtjen. Kasano e Vieri luanin në sulm nga minuta e parë, ndërkohë në mbrojtje Groso fiton duelin me Kielinin. Nga ana tjetër, Norvegjia luante me skemën e zakonshme me një sulmues të vetëm përpara, Kerjun, ndërsa në mbështetje të tij tre mesfushorë ofensivë. Pjesa e parë ka qenë shumë e ashpër nga pikëpamja fizike, por pa raste shumë të pastra. Norvegjezët përpiqen më shumë dhe i shkojnë shumë afër golit me një gjuajtje me kokë të Kerjut, ndërkohë që Italia mendon më shumë për fazën mbrojtëse dhe pothuajse nuk e ndihmon fare sulmin. Vetëm një rast i Kamoranezit ka qenë shumë pak për italianët, por edhe vendasit nuk kanë bërë më shumë. Pjesa e dytë nuk ndryshon shumë nga e para, me norvegjezët që tentojnë të sulmojnë dhe italianët që kontrollojnë qetësisht. Përsëri, rastet e pastra mungojnë, megjithëse Kerju është shfaqur shpesh i rrezikshëm në zonën e Bufonit. Në të vetmin rast të pastër të Italisë, në minutën e 53-të Vieri gabon keqazi, duke gjuajtur jashtë. Edhe ndërrimet nuk japin ndonjë fryt dhe të dy skuadrat kënaqen me një pikë, që u vlen të dyjave. Italia ruan diferencën me ndjekëset edhe pas sfidës më të rrezikshme të grupit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt Botërorit 2006, ndërkohë që Norvegjia ka ruajtur vendin e dytë, pas barazimit mes rivaleve të saj, Bjellorusisë e Sllovenisë. Më të mirët në fushë: Rise e Pedersen për Norvegjinë, Kanavaro e Kamoranezi për Italinë.