Energjia

Strategjia e Shqipërisë për ta fokusuar ekonominë te sektori i energjisë, veçse një zgjedhje e brendshme, duket e lidhur ngushtë edhe me konjukturat politike në rajon. Në prill të vitit të kaluar, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës vendosën që brenda vitit 2020, më shumë se 20% e energjisë që konsumohet në BE të prodhohet nga burime të rinovueshme, të cilat nuk shkaktojnë ndotje mjedisore, duke vënë dhe kuotat përkatëse për secilin vend. Por nëse disa vende anëtare janë në rrugë të mbarë për ta përmbushur këtë detyrim, disa të tjera, një prej të cilëve edhe Italia, janë vënë në vështirësi. Në pamundësi për ta përmbushur objektivin, me energjinë që prodhon në vend, Italia i ka kthyer sytë nga vendet fqinje, pasi KE-ja lejon edhe plotësimin e kuotave përmes importit. Në një dokument zyrtar që i ka dërguar BE-së, pak ditë më parë, qeveria italiane zbulon fakte të reja mbi programet energjetike në Shqipëri, në vitet në vijim. Sipas dokumentit, Italia parashikon që brenda 5 viteve të ardhshme të importojë nga Shqipëria 3 miliardë kW/h energji në vit, të prodhuar nga burimet e rinovueshme.








#