Kush e vrau John Kennedy 22 nëntorin e vitit 1963 ne Dallas? Një vrasës i vetëm apo një skuadër qitësish profesionistë, pjesë e komplotit më misterioz të shekullit të kaluar?



Misteri vazhdon prej 50 vjetësh. Pak orë pas vdekjes së presidentit amerikan, të shumta ishin teoritë që nuk merrnin përgjigje. E pamundur t’i besosh versionit zyrtar, sipas të cilit: në vitin 1964, i ashtuquajturi “Warren Commission”, i ngritur për të hetuar vrasjen, arriti në përfundimin se Kennedy u vra nga “një ujk i vetmuar”. Bëhet fjalë për Lee Harvey Oswald, një djalë 24-vjeçar me një të kaluar në Marinë dhe një dezertim në Bashkimin Sovietik, të mbyllur me kthimin në Amerikë në verë të vitit 1962, i shoqëruar nga një bashkëshorte dhe një fëmijë, Marina dhe June. Por në vitin 1976 u ngrit një tjetër komision, House Selected Committee on Assassinations, për të hedhur dritë jo vetëm mbi vrasjen e JFK, por edhe atë të Martin Luther King, në prill 1968, dhe atë të Robert F. Kennedy, në qershor të të njëjtit vit. Gjithashtu, komisioni do të hetonte mbi tentativat e CIA-s për të vrarë liderë të huaj të konsideruar armiqësorë, si Patrice Lumumba në Kongo dhe Fidel Castro në Kubë. Komisioni arriti në përfundimin se në sheshin Dealey Plazza më 22 nëntor 1963 ishin të paktën dy qitës. Gjithashtu, në raportin e tij ai kritikoi ashpër FBI-në, CIA-n dhe vetë Warren Commission për hetimet sipërfaqësore që i ishin bërë krimit të shekullit. Por raporti në fjalë u kritikua ashpër nga mbështetësit e teorisë së vrasësit të vetmuar, që paraqitën një seri kontradiktash. Edhe nga fronti i “komplotistëve”, që akuzonte Warren Commission se ishte pjesë e komplotit për vrasjen e Kennedy, u bënë akuza të rënda, me argumentin se teoria e dy qitësve nuk provon ekzistencën e një komploti për eleminimin e presidentit. Ndërkohë që në botën e studiuesve, sidomos atyre amerikanë, qarkullon një teori e tretë, e paraqitur nga Oliver Stone në filmin e tij “JFK” të vitit 1991: në sheshin Dealey Plaza ishin në aksion tre skuadra dhe u qëllua të paktën 6 herë. Komplotistët mbështesin pistën se ish-marinsi Oswald ishte një “ingranazh”, por në duart e kujt? CIA-s, FBI-së, shërbimeve sekrete sovietike, apo në ato të kompleksit industrial ushtarak amerikan, që e shihte JFK si armik? Misteri vazhdon. / Top Channel