Studimi – 13 për qind e shtetasve të BE-së nuk e marrin mundimin të vrapojnë as dhjetë minuta në ditë. Por, sigurisht se jo të gjitha vendet janë në të njëjtin nivel, pasi skandinavëve të zellshëm, “u kundërvihen” bullgarët dembelë që ndodhen në fund të listës



55cba752738b2490_118387116.preview_1
dembel ne europe_1
futja vrapit ne madrid
futjha vrapit ne bavari
per qejf me biciklet ene danimarke_1
vrapimi-dhe-ushqimi_1

Europianët janë, sipas një vlerësimi të kohëve të fundit, paksa dembelë. Ata preferojnë të mos lëvizin shumë, thotë thuajse gjysma e pjesëmarrësve në një sondazh: 42 për qind e europianëve pohojnë se nuk janë marrë asnjëherë në jetën e tyre me sport, përveç veprimtarive të detyrueshme kur kanë qenë në shkollë apo universitet. Ky është vetëm thelbi i një studimi të kryer nga “TNS Opinion & Social” për llogari të Komisionit Europian, në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 28 000 vetë. Kështu, sipas tij, rezulton se 13 për qind e të gjithë europianëve nuk vrapojnë as dhjetë minuta në ditë. Një rezultat aspak shpresëdhënës, sipas pohimeve të vetë organizatorëve të sondazhit: “Se sa i rëndësishëm është sporti për shëndetin, kjo me ç’duket akoma nuk është bërë e qartë sa duhet në popullsitë përkatëse”, shkruhet në raportin me titull “Sporti dhe aktiviteti fizik në BE”.


Por kjo nuk vlen për të gjitha vendet e BE-së në të njëjtën masë, sigurisht. Sa më në veri të Unionit të shkosh, aq më sportivë i gjen njerëzit. Kështu, skandinavët janë ata që shënojnë rezultatet më të mira: në atë rajon të famshëm për mirëqenien, vetëm 9 për qind e popullsisë nuk e ushtron aspak sportin. Danezët dhe finlandezët, vetëm me pak pikë më poshtë, janë ata që ndjekin këmba-këmbës në këtë drejtim, “vëllezërit e tyre” suedezë.


Bullgarët, të parët për dembelizëm


Nëse u hedh një sy vendeve jugore të BE-së e atyre lindore, shihet qartë një hendek i kushtëzuar nga gjeografia. “Atje, numri i atyre që e refuzojnë lëvizjen, vrapin apo shëtitjen, e të mos flasim për ushtrimin e sporteve specifike, është alarmant”, sipas studimit.


Listën e “negativëve” e kryesojnë në këtë rast bullgarët dhe maltezët: me përkatësisht 78 dhe 75 për qind të popullsisë që nuk kanë ushtruar kurrë sport në jetët e tyre. Edhe portugezët, rumunët dhe italianët, dëshmohen si “dembelë” kur vjen puna për t’u dhënë këmbëve e duarve.


Gjermanët, popullsia më e madhe e përfshirë në studim, duket se kanë një nivel mesatar, sikurse edhe besohej. Ata renditen në vendin e shtatë në renditjen europiane dhe janë po aq sportivë apo refuzues të të bërit sport, sa edhe holandezët, fqinjët e tyre dhe kroatët që vijnë nga Ballkani.


Mirëpo vendi i shtatë për gjermanët do të thotë se 29 për qind e tyre, sidoqoftë, nuk kanë ushtruar kurrë sport, çka autoritet gjermane nuk do ta shihnin si shumë realist.


Pasi me këtë rezultat, ndryshe nga ç’mund të besohet, gjermanët janë akoma larg niveleve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit, OBT.


Rekomandimet e OBT-së


Sipas kësaj të fundit, rekomandohet që të paktën të lëvizet 150 minuta në javë e të pjesëtuara, ato përkthehen në diçka më shumë se 20 minuta në ditë për çdo njeri.


Ndryshimet e mëdha të dëshmuara se janë më shumti gjeografikë, duket se për ekspertë të sportit, siç është profesor Ingo Froböse, nga Shkolla Sportive e Këlnit në Gjermani, nuk përbëjnë ndonjë surprizë në fakt. “Nëse njerëzit janë sportivë apo jo, nëse lëvizin apo jo, duke preferuar më mirë të rrinë në shtëpi, nuk është shpesh një vendim individual”, thotë ai. “Sesa shumë mësohet njeriu të ushtrojë sport në përditshmërinë e tij, kjo varet shumë nga kultura dhe rrethanat që imponohen në mjedisin ku ai jeton, rritet e më pas punon.”


Infrastruktura model e skandinavëve


Dhënia pas aktiviteteve sportive në gadishullin skandinav, për arsye të ndryshme është pra e madhe. Kështu, një rol luan infrastruktura shumë e mirë në këto vende. Në Danimarkë për shembull, njihet tashmë fakti se ka shumë rrugë të mirëmbajtura për biçiklistët, të cilët mund të ushtrojnë çiklizmin, duke ecur me shpejtësi madje.


Qysh në kopsht, skandinavët edukohen me lajtmotivin “jeto në ajër të pastër”, duke ushtruar shumë lëvizjen në natyrë, në shkollë kjo tendencë sigurisht se pastaj shtohet edhe më tej. Sportistët cilësorë pastaj merren e seleksionohen, duke u bërë pjesë e klasave sportive të profileve të ndryshme, duke u bërë shembull për shokët, mjedisin e më pas, për gjithë kombin. Ata megjithatë nuk shihen si njerëz me distancë, ata janë shumë pranë njeriut të thjeshtë që punon çdo ditë, por që çdo ditë edhe del për vrap e ushtron sportin, në vend që të bëhen imazhe të paarritshme, me një distancë radikale nga popullsia, siç ndodh në vende të tjera.


Sportistët cilësorë dhe populli


“Nëse sportisti cilësor ndahet nga populli i vet, kjo ndikon negativisht në promovimin e sportit e sidomos në vendet e varfra. Atje, sporti në përditshmëri nuk luan thuajse asnjë rol”, thotë profesori. “Nëse të rinjtë e fëmijët ushtrojnë sport në ato vende, e bëjnë më shumë duke u nisur nga ideja se kjo do u sjellë përfitime ekonomike dikur, ndoshta nëse ylli u shndrit si sportistë cilësorë dhe kështu ‘ia hedhin’ një herë e mirë problemeve që përjetojnë në vendet e tyre, duke nisur një karrierë të re e shpesh, duke u kthyer shpinën vendeve të origjinës”, vijon ai.


Po bien klubet e shoqatat sportive


Një tjetër problem, sipas ekspertit gjerman, është se në shumë vende nuk ka fare kulturë sportive për t’u grupuar në klube e shoqata, ku të paktën njerëzit të lëvizin drejt sportit. Sporti në klube, në Europë, sidoqoftë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka nisur të bëhet më i papëlqyeshëm. Sot, janë vetëm 26 për qind e shtetasve të BE-së të anëtarësuar nëpër klube sportive, ndërsa në vitin 2009, ata ishin 33 për qind. Këto ishin vetëm disa nga pikat apo problemet që lidhen me rezultatet e studimit të fundit të Komisionit Europian, por sigurisht se ndërhurja me fusha e probleme të tjera, do të bënte që ky debat të zgjatej shumë më gjerësisht.


Ky shkrim Ja cili vrapon më shumë dhe cili më pak në Europë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.