Jo vetëm trupa e lartë e institucioneve të reja të drejtësisë do të kenë paga të larta, por po ashtu dhe stafi mbështetës i tyre. Në projektin e paraqitur në Kuvend parashikohet niveli i pagave mbi 120 mijë lekë për drejtuesit, por dhe mbi 80 mijë lekë për specialistët.


Parlamenti do të miratojë në javën e parë të tetorit strukturën e tre institucioneve të reja të drejtësisë.


Për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit do të jenë 68 punonjës në varësi, për Komisionarin Publik do të jenë 52 vetë në personel dhe për Kolegjin e Apelimit 65 punonjës.


Në projektvendimin, i cili tashmë është diskutuar në Komisionin e Ligjeve, është parashikuar struktura e pagave për stafin e këtyre institucioneve, duke bërë të mundur nisjen e punës për verifikimin e të dhënave për 800 funksionarëve të drejtësisë në Shqipëri.


Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili është pjesë e sistemit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka për qëllim garantimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë si dhe rikthimin e besimit te publiku, do të ketë 68 punonjës. Katër trupat e Komisionit do të mbështeten nga 4 përkthyes.


Ndërsa Drejtoria Ekonomike dhe Dokumentacionit do të angazhojë 20 persona. Sa u përket pagave, këshilltarët, drejtorët por dhe specialistët e sektorit të Financës do të kenë një pagë prej 80 mijë deri në 124 mijë lekë.


Sa i përket Komisionarit Publik, do të ketë 52 punonjës. Detyra e 2 komisionarëve do të jetë ushtrimi i ankimimeve ndaj vendimeve të Komisionit të Kualifikimit, të bëjë raport me shkrim në rast se nuk zbatohen rekomandimet e OMN, si dhe rivlerëson dhe shqyrton deklaratat e subjekteve mbi të shkuarën dhe interviston të përmendurit në deklaratë.


Në Drejtorinë e Dokumentacionit do të jene 6 persona dhe ne Marrëdhëniet me Publikun e Bashkëpunimin Ndërkombëtar 9 vetë.


18 punonjës do të ketë Drejtoria Ekonomike dhe Burimet Njerëzore. Sa u përket nivelit të pages, veç stafit mbështetës që prek rrogën bazë, Arkiva do të ketë një pagë prej 49 mijë lekë dhe më pas specialistët do të paguhen me 61 mijë lekë deri në nivelin e Sekretarit të Përgjithshëm me një rrogë prej 149 mijë lekësh.


Po ashtu Kolegji i apelimit, i cili ka detyrë shqyrtimin e ankimimeve shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve të rivlerësimit dhe komisioneve publikë ndaj komisionit të pavarur të kualifikimit, do të ketë në varësi 65 punonjës.


Ndër ta 6 punonjës do të jenë në drejtorinë gjyqësore dhe tre në drejtorinë e marrëdhëneve me publikun. Drejtoria e përkthimit do të angazhojë 5 persona dhe burimet njerëzore do të kenë një personel prej 25 vetësh.


Niveli i pagave do të jetë në nivelin e kategorisë së 3 b, ose e thënë ndryshe në 61 mijë lekë, pa shtuar këtu rritjen në pagë për vjetërsinë në punë.


/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter