Paga e një deputeti të Parlamentit shqiptar fillon në 156 mijë lekë në muaj pa llogaritur përfitimet e tjera financiare, të cilat u jepen atyre për naftën që konsumojnë, faturat e telefonit, pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dieta të ndryshme.


Nga pasqyra e publikuar nga vetë parlamenti rezulton se një deputet krahas pagës fikse, mesatarisht çdo muaj përfiton shtesë edhe rreth 60 mijë lekë pagesa duke i shkuar paga në rreth 200 deri në 250 mijë lekë në muaj.


Por përtej benefiteve sa kohë gëzojnë mandatin, ligjvënësit shqiptar përfitojnë trajtime financiare edhe të paktën 3 vite më pas.


Kështu deputetët e opozitës, do vazhdojnë të trajtohen financiarisht nga buxheti i shtetit edhe pse janë jashtë parlamentit.


Ligji për trajtimin financiar të tyre parashikon dy paga shpërblim dhe gjysmë page çdo muaj për aq kohë sa kanë ushtruar mandatin e deputetit. Deputetët që kanë marr për herë të parë mandate në 2017, do të marrin gjysmë page pra rreth 80 mijë lekë për 18 muaj me radhë, ndërsa ata që kanë më shumë se 1 mandat deputeti, trajtimin e përfitojnë për 3 vite.


Një pjesë e deputetëve përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, apo dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhin, tashmë i janë drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të marrë pagesën shtesë.


Ndërkohë Kuvendi ka publikuar raportin e përfitimeve financiare të deputetëve për periudhën janar-shkurt ku rezulton se të 140 ligjvënësit përfshirë edhe ata opozitarë kanë marrë plot 28 milion lekë./ Ora News