(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, iu drejtua sot deputetëve të Kosovës me një fjalim e saj vjetor. Në fjalimin e saj ajo theksoi nevojën e reformave të brendshme për sundimin e rendit dhe ligjit, për të pasur një rrugë më të lehtë për Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga tha se është e përkushtuar që të kontribuoj në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, duke i bërë thirrje qeverisë serbe që të heq dorë nga ndërhyrja brenda territorit të Kosovës.

Fjalimi i plote i Presidentes:

Sot, kur po mbushim pesë vjet të krijimit të shtetit tonë, të ndërtuar me djersën, mundin dhe sakrificën e shumë gjeneratave, që të drejtën për të jetuar në liri e bënë realitet, përkushtimi për ta bërë Kosovën vendin e ëndrrave të secilit qytetar po bëhet edhe më i fortë.

Sot, kur Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, po ecim drejt rrugës së një të ardhmeje më të mirë dhe më të begatë, kur po i forcojmë themelet e shtetit ligjor e demokratik, gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm, nevoja për ndryshime dhe reforma po bëhet edhe më e domosdoshme.

Këtë reformë e kanë kërkuar qytetarët tanë si themel të së ardhmes sonë, që hap rrugën e fuqizimit të shtetit dhe që krijon perspektivë afatgjate për fëmijët tanë. Këtë reformë e kanë kërkuar ata që janë vënë në ballë të ndërtimit dhe forcimit të shtetit: edhe ata bujq e punëtorë, edhe ata inxhinierë e ndërtimtarë, edhe ata arsimtarë e punonjës shkencorë, nxënës e studentë, por edhe mjekët.

E kanë kërkuar qytetarët tanë - kudo.

Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e thellë, për të mirën e vendit që do të trasojë rrugën tonë të integrimeve euro-atlantike. Jo vetëm për hir të integrimit, por për të ngritur standardin e jetës së qytetarit tonë, për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të forcuar bazat e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Një reformë që do të ndihmojë në ngritjen e sistemit të arsimimit dhe të edukimit për fëmijët tanë, si e ardhmja jonë. Për një sistem më të fortë shëndetësor, që qytetarët tanë të kenë përkujdesje më të mirë shëndetësore. Për zhvillim të hovshëm ekonomik dhe mundësi për të investuar. Për një siguri më të madhe për qytetarin tonë, kudo, në çdo cep të vendit, që të lëvizë lirshëm dhe pa frikë.

Kërkesës së qytetarëve tanë se ka ardhur koha për të vepruar, tani jemi duke iu përgjigjur me veprimet tona konkrete.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Me gjithë dallimet tona, Ne e ndajmë të ardhmen e përbashkët; integrimin brenda kufijve të shtetit dhe njëkohësisht integrimin në Bashkimin Evropian. Gjithsesi një miqësi të përjetshme me SHBA-në, një mik i madh që ka qëndruar përherë me ne dhe që ka përkrahur rrugën tonë drejt të ardhmes më të mirë.

Kjo e ardhme e begatë dhe e përparuar është hapur për shtetin tonë, me vjeshtën e këtij viti, me përfundimin e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, një suksesi të përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë.

Si shtet i ndërtuar dhe demokratik, ne kemi marrë përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit tonë, për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona historike, kulturore e fetare.

Pavarësia jonë është garantuese e stabilitetit dhe të paqes jo vetëm në rajon. Shteti ynë është promotor i zhvillimit të politikave të fqinjësisë së mirë.

Kosova është një dhe e pandashme; shtet i të gjithë qytetarëve të saj që ofron mundësi të barabarta për secilin.

Republika e Kosovës është bërë pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve ndërkombëtare dhe veçanërisht të rajonit, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë, si një shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në Evropë e në botë. Kosova nuk është vend i krizës por faktor i rëndësishëm që ofron zgjidhje për problemet.

Ky stabilitet i brendshëm ka reflektuar edhe jashtë vendit, duke na dhënë mundësi që botës t’ia paraqesim një Kosovë të re, një Kosovë demokratike. Ky rrëfim suksesi këtë vit ka sjellë një numër më të madh njohjesh dhe ka forcuar praninë tonë në skenën ndërkombëtare. Së fundmi, shumica e shteteve anëtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim votuan në favor të Republikës së Kosovës. Si Kosovë, kemi arritur ta shtojmë zërin tonë në ofrimin e zgjidhjeve ndaj sfidave globale, përfshirë arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas.

Për ne, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, mbetet synimi parësor që ofron perspektivë të rëndësishme dhe e vendos Kosovën në mesin e kombeve të barabarta.

Republika e Kosovës duhet të jetë pjesë e mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, të EUROPOL-it e INTERPOL-it, për të dhënë kontribut në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përfshirë edhe krimet që tejkalojnë kufijtë shtetërorë. Ne kemi ndërtuar një Polici me standarde ndërkombëtare dhe profesionale, e gatshme dhe e aftë që të përballet me të gjitha sfidat.

Kemi ndërtuar një Forcë të Sigurisë së Kosovës, me ndihmën e NATO-s, një strukturë që i ka përmbushur kapacitetet operacionale dhe e gatshme për të marrë edhe detyra në misione ndërkombëtare kudo në botë.

Të dyja këto institucione e kanë fituar besimin dhe përkrahjen e plotë të qytetarëve të Kosovës.

I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor po ec në rrugën e integrimeve evropiane dhe Kosova është pjesë e pandashme e kësaj rruge.

Procesi i integrimit euroatlantik për Kosovën ka njohur një zhvillim të ri përgjatë një viti, me angazhimin e gjithanshëm të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të vendit. Ne kemi hyrë në një fazë të re në marrëdhënien tonë me Bashkimin Evropian, me marrjen e studimit të fizibilitetit që hap rrugën tonë drejt fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Synim yni është që ky proces të hapet sa më parë. BE-ja, me këtë, do të dëshmonte gatishmërinë për të mbajtur të hapur perspektivën e integrimeve për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa dallim.

Procesi i integrimeve megjithatë është një rrugë dykahëshe. Ne kemi shumë punë për të bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe të standardeve evropiane, duke nisur me reformat tona të brendshme në secilën fushë që është në të mirën e qytetarit tonë.

Por rruga drejt Bashkimit Evropian është e qartë dhe e sigurt. Bashkimi Evropian duhet të flas me një zë për Kosovën dhe ta mbajë derën e hapur për secilin vend të Ballkanit Perëndimor, duke i kushtuar kujdesin e njëjtë. Evropa është familja ku aspirojmë të rikthehemi sërish, të gjithë ne popujt e rajonit të Ballkanit, që historia padrejtësisht na ndau. Dhe historinë sot kemi vendosur ta bëjmë bashkë për të mirën e popujve tanë. Këtë rrugë Bashkimi Evropian po na e garanton.

Kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, që ka për qëllim qarkullimin e lirë të qytetarëve tanë. Kosova nuk do të mbetet vendi i vetëm pa qarkullim të lirë. Ne garantojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës do të respektojnë të gjitha rregullat dhe kriteret e BE-së.

Ne jemi të gatshëm për të hyrë në këtë marrëdhënie të re me BE-në dhe duam që ky proces, i liberalizimit të vizave të përfundojë jo më vonë se deri në fund të vitit të ardhshëm. Pamundësia për të lëvizur lirë, i ka mbyllur qytetarët e Republikës së Kosovës duke e vështirësuar jo vetëm jetën e tyre por edhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Liberalizim i vizave do të thotë edhe një pranim për punën dhe angazhimin e secilit qytetar dhe institucion të Republikës së Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik.

Rruga evropiane nuk ka alternativë dhe në këtë rrugë jemi të bashkuar; të gjithë qytetarët pa dallim si dhe institucionet. Agjenda jonë evropiane duhet të shndërrohet në një plan pune për të gjithë shoqërinë e Kosovës.

Ky moment është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të reformave. Në këtë proces, uniteti i të gjithë faktorëve të shoqërisë kosovare është i nevojshëm. Si institucionet, ashtu edhe partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe ai i biznesit kanë një rol vendimtar për të luajtur.

Bazuar në përvojat e vendeve që kanë kaluar tashmë nëpër këtë proces, konsensusi gjithëpërfshirës në përmbushjen e reformave për integrim është vendimtar.

Në mars të këtij viti kam themeluar Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, mekanizëm bashkërendues institucional, si dëshmi e unitetit tonë, institucioneve, spektrit politik, komunave, shoqërisë civile, biznesit dhe të gjithë qytetarëve për të marrë përgjegjësi në përshpejtimin e dinamikës së integrimit evropian duke bashkuar përpjekjet tona për realizimin sa më të suksesshëm të këtij procesi.

E kemi krijuar një platformë politike dhe shoqërore, me qëllim që të sigurojmë përgjatë kësaj rruge një kurs të qartë dhe stabil për vendin drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke forcuar besimin dhe partneritetin e institucioneve me shoqërinë civile, komunitetin akademik dhe të biznesit.

Por, kjo rrugë jona drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon nga ne angazhim më të madh në kryerjen e reformave tona të brendshme. Reforma që ndërlidhen kryesisht me sundimin e rendit dhe të ligjit dhe që kërkojnë përfshirjen e secilit segment të shoqërisë sonë.

Ne po ndërtojmë shtet ligjor, ku respektimi i rendit dhe i ligjit, dhe barazia përpara tij, do të thotë siguri për qytetarin, do të thotë mirëqenie dhe zhvillim, që është investim i sigurt për të ardhmen tonë.

Ne kemi ardhur në një periudhë të historisë së shtetit tonë kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet e pakompromis dhe e fuqishme.

Kur fëmijët tanë, që shtetin do ta kenë trashëgimi nga ne, nuk do të na pyesin për sakrificën tonë në këtë luftë - por do të gëzojnë frytet e saj. Kur gjeneratat e ardhshme nuk do të flasin më për dukuritë negative - por do të përjetojnë zhvillimin e shtetit dhe do të ecin përpara.

Ne nuk kemi kohë për të humbur - aq sa nuk mund ta humbim luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne nuk kemi mundësi dhe shanse të tjera përveç kësaj të sotmes. Sakrificën e gjeneratave për liri, demokraci e pavarësi nuk do ta rrezikojmë.

Prandaj, jemi të përkushtuar që dukuritë negative në vend t’i çrrënjosim, sepse ato po e pengojnë zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet, po e pengojnë procesin e integrimit euroatlantik, po e pengojnë jetën e qytetarit tonë.

Nuk duam që të rinjtë tanë të mbeten peng të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dukuri këto që kanë penguar investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Nuk guxojmë që perspektivën e tyre ta rrënojmë!

Andaj, në bazë të autoritetit tim kushtetues kam themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, për ta luftuar këtë dukuri shkatërruese në nivelin më të lartë dhe me seriozitetin më të madh.

Në këtë Këshill, ne kemi bashkërenduar veprimet e të gjitha institucioneve që janë të mandatuara ta luftojnë korrupsionin, duke përmirësuar komunikimin mes tyre, duke ndarë përgjegjësitë dhe duke rritur llogaridhënien. Për zbatimin e plotë të ligjit në këtë betejë kyçe që është edhe nyja që përcakton stabilitetin tonë të brendshëm, qëndrueshmërinë e vendit tonë dhe perspektivën evropiane të cilën e synojmë.

Me krijimin e Këshillit si prioritet të Zyrës së Presidentes së Kosovës, kemi ndihmuar në përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit dhe në ndryshimin e perceptimit brenda kufijve të tij.

Kemi arritur në përfundime të dobishme për rishikimin dhe ndryshimin e legjislacionit dhe kemi identifikuar mangësitë që na e ngadalësojnë punën tonë.

Para së gjithash, kemi krijuar një front të përbashkët dhe gjithëpërfshirës që nuk do të rresht së punuari deri në mposhtjen e korrupsionit në Kosovë. Ky vazhdon të mbetet një nga prioritetet e Zyrës sime.

Ne duhet t’i vazhdojmë dhe t’i përshpejtojmë reformat për forcimin e rendit dhe të ligjit dhe përmirësimin e klimës për biznes, si parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, duke rritur prodhimin e brendshëm, që gjeneron punësim dhe ngrit cilësinë dhe konkurrencën e produkteve dhe të shërbimeve tona.

Këtë vit vendi ynë ka përmirësuar infrastrukturën rrugore që do të lehtësojë qarkullimin e mallrave e të njerëzve. Realizimi i projektit të Rrugës së Kombit “Ibrahim Rugova” me mjete vetjake tregon përkushtimin dhe angazhimin institucional për ndërtimin e infrastrukturës së duhur që do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të kombit tonë. Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve. Është lidhja jonë në korridoret e rëndësishme evropiane, që na lidhin me vendet e tjera të rajonit dhe me botën.

Për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës vendi ynë do të krijojë politika zhvillimore që shprehin vizionin afatgjatë ekonomik të Kosovës. Kësaj kauze duhet t’i shërbej edhe Buxheti i vitit 2013 dhe planet afatmesme zhvillimore.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Sot dua që prej këtu të kujtoj ata 1770 qytetarë tanë ende të pagjetur, që familjarët po i kërkojnë me ngulm këtu e 14 vjet pareshtur. Qetësia e asnjë familjeje në Kosovë dhe paqja në shtetin tonë nuk mund të vendoset e të arrihet pa zbardhjen e fatit të secilit qytetar të pagjetur. Prandaj ne Institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohemi më fuqishëm që kjo çështje të zgjidhet, që të vendoset rahatia shpirtërore e familjeve që kanë të zhdukur familjarët e tyre.

Në mesin tonë janë edhe shumë viktima të tjera të luftës. Ato duan dhe meritojnë drejtësi. Andaj, në Parimet e Prishtinës, të Samitit Ndërkombëtar të Gruas, Partneriteti për Ndryshime, kërkuam që grave të dhunuara t’u njihet statusi ligjor i viktimës së luftës, që ato, së bashku me gratë e tjera që sakrifikuan aq shumë për lirinë, të zënë vendin e tyre që u takon.

Paqja jonë është paqe për të gjithë dhe qetësi e stabilitet gjithandej.

Demokracia që po e zhvillojmë është fuqia jonë - e shtetit me diversitet kulturor, etnik e fetar. E këtij shteti që ka pasur të kaluar të rëndë, të cilën nuk e kemi harruar, por që kemi ndërtuar të tashmen për hir të së ardhmes.

Ne kemi hyrë në procese të rëndësishme për shtetin dhe kemi nevojë për bashkimin tonë. Dallimet tona politike duhet t’i shndërrojmë në përparësi dhe në pragmatizëm për të mirën dhe të ardhmen tonë.

Si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon i jemi përgjigjur fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet, duke e ndërtuar atë me respekt, si të barabartë dhe të dinjitetshëm. Por, ne jemi të vetëdijshëm për problemet në marrëdhëniet me Republikën e Serbisë dhe prandaj kemi hyrë në një rrugë të dialogut për të gjetur zgjidhje.

Dialogu nuk është vetëm zgjidhja më e mirë por është e vetmja mënyrë që Republika e Serbisë të marrë përgjegjësitë dhe të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare në raport me Kosovën. Dialogu është mënyra më e mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve, të barabarta dhe sovrane, që hap rrugën e integrimeve evropiane.

Nuk kemi kohë për të humbur dhe tashti më shumë se kurrë ne duhet të bashkohemi për të gjetur zgjidhjet më të mira për Kosovën, të bazuara në standardet evropiane, të garantuara nga Bashkimi Evropian dhe të përkrahura fuqishëm nga SHBA-ja.

E kemi bërë të qartë se Kosova është një tërësi unike territoriale dhe ka kufijtë e saj të garantuar ndërkombëtarisht. Nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç atyre që bazohen në ligjet dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha marrëveshjet që arrihen duhet të garantohen dhe të zbatohen në praktikë.

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëmbim territoresh e popullatash.

Nuk do të vendosim standarde të dyfishta për komunitetet në Kosovë dhe në veçanti nuk duam të rrënojmë atë që e kemi arritur deri më tani, përfshirjen e të gjitha komuniteteve – serb, turk, boshnjak, goran, romë, ashkali dhe egjiptas, në institucionet e Republikës së Kosovës.

Dialogu zhvillohet për të gjetur zgjidhjet praktike për qytetarët dhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. E kaluara jonë nuk do ta mbajë peng të ardhmen dhe ne do të gjejmë mënyra për të zgjidhur çështjet që na kanë mbetur të hapura.

Kam shprehur gatishmërinë që të takoj Presidentin e Serbisë, në interes të shtetit dhe të popullit të Kosovës, duke u bazuar në ligjet dhe në Kushtetutën e Kosovës. Unë kam deklaruar se do të takohesha kurdo dhe kudo dhe vazhdoj të besoj se takimet ndërmjet përfaqësuesve të barabartë të Kosovës dhe të Serbisë kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Takimet nuk nënkuptojnë kushtëzime të asnjërës palë, e më së paku të përfaqësuesve të Republikës së Kosovës. Problemet nuk zgjidhen vet dhe nuk zgjidhen me forcë. Problemet në kohë moderne zgjidhen me dialog, në veçanti aty ku lufta ka përfunduar.

Rrugën tonë drejt BE-së do ta kemi më të lehtë nëse bashkëpunojmë mes vete, si dy shtete të pavarura e sovrane, që respektojnë vlerat e njëra-tjetrës dhe të fqinjësisë së mirë.

I bëjmë thirrje Republikës së Serbisë që të heqë dorë nga financimi dhe përkrahja e strukturave ilegale e kriminale në veri të vendit, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve të zakonshëm atje. Kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të heqin dorë nga ndërhyrja brenda territorit të Republikës së Kosovës. Stabiliteti i Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, është stabilitet për rajonin dhe më gjerë. Marrëdhëniet tona nuk mund ta mbajnë peng stabilitetin në Evropë dhe nuk mund ta kërcënojnë zhvillimin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor.

Jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se egoja e pushtetit.

Në komunat në veri do të vendosim rendin dhe sundimin e ligjit, duke i shpërbërë të gjitha strukturat e lidhura me krimin e organizuar, kontrabandën e korrupsionin, duke kthyer besimin e qytetarëve të kësaj pjese të vendit në institucionet e Republikës së Kosovës. Normalizimi i situatës do të mundësonte që në kohën kur të mbahen zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës, bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ato të zhvillohen edhe në komunat në veri të territorit, duke ia mundësuar komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal e legjitim. Kjo do të mundësonte edhe zhvillimin më të shpejtë ekonomik të tri komunave në veri si dhe do të relaksonte marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Por, me demokracinë dhe zhvillimin vijnë edhe përgjegjësitë po aq sa edhe të drejtat. Qytetarët serbë në komunat në veri duhet ta ndjejnë dhe ta kuptojnë Kosovën si shtet dhe atdhe të tyre. Ta ndjejnë se diversiteti kulturor, etnik dhe fetar është pasuri jona e përbashkët dhe ta kuptojnë se e ardhmja edhe e tyre është brenda këtij shteti.

Prandaj, ju bëj thirrje qytetarëve të komunitetit serb, posaçërisht atij në komunat në veri, që të shohin kah e ardhmja e tyre së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës.

I zato pozivam gradjane srpske zajednice, posebno one koje zive u opstinama na severu, da gledaju ka njihovoj buducnosti, zajedno sa svim drugim gradjanima Kosova. Vasa domovina je Kosovo, mesto velikih aspiracija i mogucnosti. Vasa domovina je Kosovo, zemlja nade i zajednickih odgovornosti. Hajde da je zajedno izgradimo za nasu dobrobit, i za sigurniju i bolju buducnost.

Të nderuar deputetë,

Puna jonë nuk ka përfunduar posaçërisht në reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore, sado që përpjekje të mëdha janë bërë për të përmbyllur këto procese. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin që t’u ofrojmë një pasqyrë të rezultateve të arritura dhe ata duan që t’i përmbyllim me sukses ato.

Është koha që të gjenden zgjidhjet e përbashkëta, posaçërisht në reformën zgjedhore dhe që të gjitha forcat politike në vend të ofrojnë zgjidhjet më të mira, për një garë të sigurt zgjedhore. Për të vendosur bazat për zgjedhje të lira dhe demokratike, në të cilat qytetarët besojnë.

Vendi ynë e ka të domosdoshme t’i përfundojë me sukses proceset e reformës zgjedhore dhe kushtetuese. Faza e tranzicionit që shteti ynë e kaloi në këto vite të çlirimit, si dhe përvoja me demokracinë, na ka dhënë mundësinë të shohim se si duhet ta përmirësojmë legjislacionin zgjedhor dhe si ta bëjmë reformën kushtetuese, për të avancuar proceset demokratike dhe për t’i ndarë më qartë kompetencat brenda institucioneve.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi,

Keni kërkuar veprime dhe rezultate konkrete për të avancuar proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. Keni kërkuar më shumë punë dhe më shumë angazhime nga të gjithë ne, për ta ndërtuar Kosovën, një shtet të dinjitetshëm, për të cilin do të jemi krenarë të gjithë.

Ne asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga ëndrra e përbashkët për Republikën e Kosovës një vend të mundësive të mëdha. E realizuam vullnetin për lirinë dhe pavarësinë dhe të gjithë së bashku do ta gëzojmë një të ardhme më të mirë. Me më shumë mirëqenie dhe më shumë begati, me më shumë zhvillim e përparim ekonomik dhe më shumë vende të punës.

Ajo që e ka karakterizuar shpirtin tonë të pamposhtur në Kosovë ka qenë solidariteti mes nesh dhe besimi në njëri-tjetrin. Bashkimi ynë ka qenë pjesë e historisë sonë të begatë, por shumë herë të rëndë, dhe ai ka qenë shpëtimi ynë.

Sfidat do të jenë të mëdha në rrugën tonë përpara dhe unë nuk them se do ta kemi të lehtë.

Por, ne duhet të flasim me një zë për Kosovën, sepse e kemi atdhe tonin, me të cilin do të jenë krenarë të gjithë ata që na ndihmuan ta ndërtojmë.

Është koha të shohim përpara dhe të tregojmë se fuqia jonë është në bashkimin tonë dhe në besimin në forcat tona. Besimin në Ne.

Zoti ju bekoftë!

Zoti e bekoftë Kosovën!

LDK bojkoton fjalimin e Presidentes

Në seancën plenare kur presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, po bën një adresim para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një fjalim vjetor, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bojkotuar këtë seancë.

Seanca ka filluar edhe është duke vazhduar me pikën e vetme të rendit të ditës ku është duke mbajtur fjalimin presidentja e vendit, Jahjaga. Por GP i LDK-së nuk ka hyrë fare në seancë duke mos dëgjuar fjalimin e presidentes për fundvit.

Presidentja dhe kryeministri i drejtohen Kuvendit

Qysh më herët ky subjekt opozitar është deklaruar që presidentja e vendit Atifete Jahjaga është vetëm Atifete Jahjaga dhe jo presidente e vendit, pasi që nuk po respekton marrëveshjen e nënshkruar mes tre liderëve, Hashim Thaç, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, iu drejtohet sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në fjalimin e saj vjetor.

Kuvendi do të mbajë edhe një seancë tjetër plenare, në të cilën kryeministri Hashim Thaçi do të informojë ligjvënësit për takimin e tij të tretë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

Thaçi ka takuar Daçiqin më 4 dhjetor në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Kryeministri ka informuar deputetët edhe për dy takimet e para me homologun serb, të zhvilluara më 19 tetor dhe 7 nëntor.

Takimet e tilla thuhet se kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.