Mitrovicë - Lideri serb i Mitrovicës, Marko Jakshiç, akuzon qarqe në Beograd se kanë nxitur kallëzimin penal kundër tij dhe Millan Ivanoviqit. Ndërkohë që Policia e Kosovës i hedh poshtë këto pohime. “Nga sinjalet që ne i kemi marrë, shihet se iniciativa për kallëzimet penale vjen prej një qarku të bashkuar në Beograd, në fakt nga ata që angazhohen për jetësimin e planit të Ahtisaarit”, tha Jakshiç, duke mos saktësuar se për çfarë qarku e ka fjalën.



“Kurrë, kurrfarë kallëzimi penal nuk do të na frikësojë që të mos bëjmë këtë që po bëjmë tash. Qëllimi kryesor për ne është se kjo është pjesë e territorit të shtetit të Serbisë, se kjo është Serbi dhe ne presim që shteti serb të angazhohet politikisht kundër ngritjes së një shteti tjetër shqiptar në Ballkan”, tha Jakshiç, nga Këshilli Kombëtar Serb.



Në anën tjetër, pohimet se Beogradi ka nxitur ngritjen e kallëzimit penal ndaj këtyre dy liderëve, janë hedhur poshtë nga Policia e Kosovës, e cila, pasi ka zhvilluar hetimet, i ka dërguar provat në prokurori.



Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se kallëzimi penal është bërë duke marrë për bazë raportet në media. “Absolutisht nuk ka sinjale tjera, përveç se raportet që janë marrë nga mediumet brenda në Kosovë; kam fjalën kryesisht për mediumet kosovare”, deklaroi Hoti.



Policia tashmë ka kryer hetimet në lidhje me këtë rast. As Jakshiç e as Ivanoviq nuk kanë pranuar që të intervistohen nga policia. Provat e mbledhura thuhet se i ka marrë prokuroria e EULEX-it. Por, nga ky mision thonë se lënda nuk ka arritur ende tek ta.



“Prokurorët e EULEX-it nuk e kanë marrë ende lëndën, por mund të them se jemi duke e shqyrtuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e komponentit për drejtësi e EULEX-it, Kristina Herodes. /REL/