Moskë, 2 shtator – Situata në Kosovë aktualisht është goxha e qetë, por shqiptarët do t’i sulmojnë serbët kur të marrin sinjal nga Perëndimi, citon “Glas Rusije” zëvendësin e kryetarit të të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave serbe në Kosovë e Metohi, Marko Jakshiç.


“Beogradi ka llogaritur se mund t’i ketë edhe Kosovën edhe BE-në. U pa si projekt i pamundshëm, pikërisht ngase Beogradi lejoi EULEX-in të vijë dhe nxiti serbët në jug të Ibrit të dalin në zgjedhje të Kosovës, që tani po kthehet tamam bumerang”, i ka thënë Jakshiç “Glas Rusije”.


Ai konsideron se formula e Beogradit, që mund të përshkruhet si “edhe Kosova edhe BE-ja” po dëshmon mungesën, shterpësinë. “Ideja jonë është se Kosova dhe Metohia është pjesë e shtetit të Serbisë dhe ne serbët që jetojmë në këto hapësira duhet të mos lejojmë që vendet e BE-së dhe SHBA ta rrëmbejë këtë pjesë të territorit tonë. Kurrfarë ndarjeje, përkatësisht shkëputje të Veriut të Kosovës, nuk vjen në konsiderim, duke pasur parasysh se edhe me Kushtetutën e shtetit të Serbisë, Kosova është territor i yni”, ka thënë Jakshiç.


Sipas fjalëve të tij, pjesa veriore e Kosovës përbën vetëm 4-5 % të territorit të kësaj krahine serbe, siç është shprehur ai.


“Kjo është pjesa më e keqe e Kosovës dhe shqiptarët me shumë kollajllëk mund të hiqnin dorë prej saj, duke pasur parasysh se pjesa më e bukur, pjesa më e mirë e Kosovës faktikisht do të mbetej atyre”, sqaron Jakshiç.