Lubjanë - Janez Jansha mund të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Sipas të përditshmes të Lubjanës, Reporter, Jansha ka marrë një ftesë për një post të tillë. Agjensitë botërore të lajmeve kanë publikuar më pas lajmin në fjalë ku theksohet se ndonëse Jansha është përgjigjur se nuk ka ndër mend të kandidojë për një post të tillë, nuk do të pranonte gjithashtu post më të ulët se sekretar i përgjithshëm i NATO-s ose komisar evropian në BE. Reporter thekson se në NATO mbisundon mendimi se posti i sekretarit të përgjithshëm duhet t`i ofrohet një politikani me karierë nga një anëtare e re, si njëfarë kompromisi midis SHBA-ve dhe BE-së.



Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike Çekia dhe Polonia janë shumë proamerikane dhe kandidati i tyre nuk do të merrte mbështetje nga Gjermania dhe Franca, ndërsa një kandidat nga Sllovenia do të mund të ishte kompromis i mirë. Mandati i sekretarit aktual të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, skadoi sivjet, por Aleanca vazhdoi deri në maj që të mund ta përgatisë kremtimin e 60 vjetorit të NATO-s më 4 prill.