afrim imaj

“Mirëmbrëma vëllezër! Jam Jani Lufi, flas nga Krasnodari.” Më në fund, nga krahu tjetër i telefonit dëgjohet zëri i njeriut që kemi kërkuar prej ditësh. I gatshëm për të rrëfyer historinë e tij, ushtaraku shqiptar që ka ngrysur jetën në Rusinë e largët, fillon të flasë me një shqipe të qartë duke e ndërprerë hera-herës me ca “da, da” të shkëputura. Jani Lufi si rrallëkush tjetër ka një jetëshkrim të veçantë, të cilin ka dëshirë ta ndajë në dy momente që shkrihen natyrshëm te njëri-tjetri. Nëse e ka përballur me rrethana specifike faktori kohë dhe ai gjeografik, kjo për karakterin dhe vlerat e qenësishme të trashëguara nga vendlindja, ka qenë e papërfillshme. “Unë isha Jani Lufi, partizani 14-vjeçar i batalionit “Thanas Ziko”. Po unë gjenerali i ushtrisë sovjetike”. Në rrëfimin e mëtejshëm njeriu që përgjigjet në shqip nga Krasnodari i largët thotë se jeta i ka rezervuar një fat të çuditshëm, por është krenar që ka ditur të ruaj ekuilibrin e të mbetet ballëlart përpara të njohurve dhe atyre, me të cilët e lidhi profesioni dhe detyra e përbashkët. Gjithsesi, për të jo çdo gjë ka rrjedhur kreshendo. Gjysmë shekulli larg familjarëve, shokëve, miqve, larg njerëzve me të cilët u rrit e u shkollua, ka qenë sfilitëse e dramatike njëherazi. Ca më tepër, shton Jani Lufi, mënyra si është përfolur në Shqipëri qëndrimi në Moskë pas divorcit të viteve ‘60, më ka brengosur tej mase e më ka mplakur para kohe. Shpërfillës ndaj akuzave në adresë të tij, mundohet t’i kujtojë duke qeshur, së paku aq sa ka marrë vesh nga versionet e ngritura nga sigurimi i shtetit. “Kanë thënë se më ka errur sytë vajza e bukur e një gjenerali nga Moska, kur jam martuar pas dhjetë vitesh nga prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve”. “Më kanë quajtur agjent të KGB-së kur vazhdoja të mbaja teserën e anëtarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë”. “Kanë thënë se jam rekrutuar nga zbulimet e huaja gjatë luftës, kur isha partizan e ndiqja këmba-këmbës okupatorin në vendin tim”. Më shuam se për kundërargument, Jani Lufi mundohet të zbardhë rrethanat në të cilat bëri zgjedhjet përkatëse, i bindur se për këtë i detyrohet opinionit dhe sidomos shokëve me të cilët ka ndarë dikur gëzimet e detyrave të përbashkëta. E vërteta është se Tirana e atyre viteve ka konsumuar një fluks akuzash për studentin e “Frunze”-së që nuk u riatdhesua pas prishjes me BS. Po çfarë ka ndodhur realisht me të? Në rrëfimin për “Panorama” Jani Lufi sjell një retrospektivë nga jeta e tij, duke filluar nga vitet e fëminisë në Sofratikën e Gjirokastrës, ato të betejave partizane në radhët e batalionit “Thanas Ziko”, ditët skënderbegase, ato të studimeve në akademinë ushtarake, periudhën kur shërbeu si oficer në Tiranë, atë të studimeve në “Frunze” në ish-BS e deri te çastet e gradimit me yjet e gjeneralit... 
Zoti gjeneral! Fillimisht diçka nga momentet kryesore të jetës suaj...
Së pari, desha të them se jam shqiptar, djalë i dy prindërve fatkeq nga  Jugu i Shqipërisë. Kam lindur në fshatin Sofratikë të rrethit të Gjirokastrës. E kam në sy atë edhe sot pas kaq dekadash. Sofratika është një fshat i bukur, i rrethuar me male dhe gryka të ngushta që përfundojnë tek lumenjtë e vrullshëm poshtë gjunjëve të tij. Aty jam bërë tetë vjeç pastaj kam ikur dhe nuk jam kthyer më kurrë...
Çfarë kujtoni nga fshati i vendlindjes?
Sofratika ime, në kohën që kam qenë aty, kishte rreth 50 shtëpi. Një pjesë e tyre ishin përdhese, më të shumtat dykatëshe të mbuluara me rrasa guri të bardha që fshatarët ia merrnin malit me shumë mundime. Të gjitha ndërtesat, kishin oxhak në dhomën e gjumit. Ndërkaq, muret, në pjesën më të madhe të tyre, suvatoheshin me merak dhe pastaj me gëlqere të bardhë si bora, bëhej lyerja e tyre. Shtëpitë ishin përshtatur në mënyrë të tillë ku çdo njëra kishte një oborr të vogël, përreth të cilit kultivoheshin pemët, mollët, dardhat, ftonjtë dhe sidomos rrushi. Kati i parë i çdo ndërtese shërbente si magazinë për produktet e fushës   misrin, fasulet, grurin, kungujt, pastërmanë, turshitë etj. Të zotët e shtëpisë zakonisht jetonin në katin e dytë. Kanë qenë shumë punëtorë fshatarët e mi..
Çfarë ruani në kujtesën tuaj nga shtëpia ku keni lindur?
Shtëpia jonë ka qenë në krye të fshatit. Një miku im që jeton në Greqi, Vangjel Nasto dhe një mbesa jonë në Libohovë, Sofija, më kanë shkruar së fundi se rrënojat e saj dallohen qartazi edhe sot, ndërkohë që qoshet e mureve nuk janë rrafshuar tërësisht. Mbaj mënd se kemi pasur rreth katër dhoma dhe një oborr të vogël. Më kujtohen foletë e shumta që ndërtonin mbi çati zogjtë shtegtarë. Në arat e ngushta që kishin prindërit e mi në pronësi mbillnim misër, fasule dhe herë pas here edhe shalqi e kastravecë.
Mbani mënd ngjarje të asaj periudhe nga jeta në Sofratikë?
Pas kaq e kaq vitesh gjërat janë fashitur, po gjithsesi ato më tronditëset nuk mund të harrohen. Më kujtohet kurbeti, drama që përjetonin fshatarët tanë në atë kohë. Veçanërisht mbaj mënd këngët e pikëllimit të grave për burrat që merrnin rrugën e kurbetit për një jetesë më të mirë. Çdo shtëpi përshkruhej nga dhimbjet e tij. Djemtë e porsamartuar ndaheshin me gratë e bukura dhe fëmijët e vegjël dhe kërkonin fatin matanë maleve, shumë larg, në Amerikë, Australi, Zelandën e Re, Francë etj. Mjaft syresh u qëllonte që nuk ktheheshin më. Ndërkaq nënat e nuset e tyre e ngrysnin jetën në këtë pritje të gjatë, që shumë herë vazhdonte sa vet jeta e tyre. Tjetër gjë ndodhte me gratë e të pasurve. Ato e kalonin ditën duke u parë në pasqyrë e duke u stolisur me lloj-lloj gjerdanësh. Gratë e çifligarëve të Dropullit as që donin t’ia dinin për pjesën tjetër të shoqeve të tyre...
Diçka për familjen...
Ta filloj nga nëna, fisi i së cilës me rrënjë e me degë ishte shqiptar. Ajo ishte nga Qeparoi i Himarës. Gjyshi ishte pronar i një numri të madh delesh e dhish, që në dimër i mbante aty e në verë i sillte mbi bregoret e Libohovës. Ishte rituali i këtij shtegtimi shkaku i miqësisë së tij me familjen e babait, nga ku lindi miqësia e prindërve të mi. Kështu në verën e vitit ‘30 Kico Lufi lidhi kurorë me nënën time Teodora Kopali. Nga kjo martesë më 15 maj të vitit 1931 linda unë, djali i vetëm i tyre. I kam dashur shumë prindërit e mi. Ishte fati i keq i tyre që ikën të rinj nga kjo jetë...
Në fshatin tuaj, në Sofratikë, flisnin greqisht, sa të vështirë e pati nëna integrimin në komunitetin e tij?
Është e vërtetë që banorët e Sofratikës flasin greqisht, por duhet thënë që shumica e burrave dinë edhe shqip. Nëna ime dinte vetëm shqip dhe kjo ia vështirësonte jashtë mase komunikimin me të tjerët. Ca më tepër që ajo mbeti e ve shumë e re, pasi babai vdiq në vitin 1938 dhe e përjetoi shumë rëndë vdekjen e tij. Më kujtohet si tani situata e rëndë që kaluam pas vdekjes së tij. U rrënuam totalisht nga ana ekonomike, aq sa kërcënoheshim edhe për bukën e gojës. I vetmi që na u gjend pranë ishte xhaxhai Llambi, po edhe fshatarët e tjerë, të cilët na u ndihmuan pranë me çfarë mundën. Ishte në traditën e zonës solidariteti për njerëzit që gjendeshin në pozita të vështira. Arrinte deri aty sa njerëzit ndanin edhe kafshatën e fundit me njëri-tjetrin. Një sjellje e mrekullueshme që rrallë e has gjetkë. Menjëherë pas vdekjes së babait shkova me gjyshin në stan dhe aty qëndrova deri në mars të vitit tjetër, kur u ktheva te mamaja në Sofratikë për të filluar shkollën...
Çfarë mbani mënd nga periudha e shkollës në fshat?
Ka qenë pranvera e vitit ‘39 kur nisa shkollën. Mbaj mënd që për klasa ishin përshtatur mjediset e kishës së fshatit dhe nga 1 marsi e deri më 30 shtator mësimet i bënim aty. Gjithsej ishin katër klasa. Në shkollë kishim vetëm një mësues. Tërë jetën e kam kujtuar me adhurim të veçantë profilin e tij. Spiro Xhai e quanin. Ishte babaxhan dhe njeri i shkolluar. Në vitet e luftës  u bë një nga kuadrot e njohur të lëvizjes antifashiste-nacionalçlirimtare të zonës. Po edhe pas çlirimit iu besuan detyra të rëndësishme në institucionet e larta në Tiranë. Sidoqoftë shkolla jonë do të vazhdonte vetëm një vit, pasi në dhjetor ajo do të mbyllej nga vet situata që krijoi pushtimi i vendit nga Italia fashiste.
Si e përjetoi brezi juaj pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste...
Ka qenë 9 prilli kur në fshatin tonë, Sofratikë, mbërriti pararoja e reparteve të divizionit ekspedicional të këmbësorisë italiane dhe poshtë në fushë u dislokuan repartet e gardistëve. Ushtarët italianë qysh në kontaktin e parë u sollën tmerrësisht keq me fshatarët. Brutaliteti dhe arroganca ishte e vetmja gjuhë e komunikimit të tyre me vendasit. Veçanërisht qëndrimet e tyre të paturpshme ndaj grave dhe vajzave ishin shumë revoltuese. Pati në ditët e para shumë përplasje me ta për  provokimet e ndryshme që bënin. I vetmi reagim ishte ruajtja e grave dhe vajzave nga ekspozimi përballë këtyre mysafirëve të paftuar. Harbutëria e tyre ishte e jashtëzakonshme dhe ndjehej kudo. Si të paskrupullt që ishin, sulmin e parë e nisën me lejlekët e shumtë që kishim në fshat. Ata iu vërsulën si bisha dhe vranë pjesën më të madhe të tyre. Pjesa tjetër iku dhe qysh atëherë e deri sa kam ikur unë nga fshati lejlekët nuk u kthyen më. Megjithatë deri këtu qëndrimi i tyre, edhe pse i turpshëm, së paku nuk rrezikonte jetën e njerëzve. Situatë kërcënuese u krijua në Sofratikë gjatë mësymjes së ushtrisë italiane mbi territoret e Greqisë. Fshati ynë ishte në brezin kufitar që ndan Shqipërinë me Greqinë. Për herë të parë sulmi nisi në mëngjesin e 28 tetorit. Pastaj e gjithë zona u bë një teatër luftimi. Më 9 mars forcat greke e thyen mësymjen italiane. Në vazhdim filloi tërheqja e trupave dhe arsenaleve ushtarake. Gjatë tërheqjes, ushtria greke bëri një goditje të madhe me artileri ndaj një garnizoni italian që ishte vendosur në afërsi të Sofratikës. Aty u vranë shumë oficerë dhe ushtarë italianë. Të nesërmen ata i varrosën në një kodër përmbi fshat. Kështu Sofratika u bë “monumenti” i luftës së Dytë Botërore, i varrezave të italianëve...
Çfarë ndodhi pas përfundimit të luftës italo-greke në zonën tuaj?
Në fund të prillit ’41, grekët u larguan nga Shqipëria. Në zonat tona u vendos një lloj qetësie, që do të vazhdonte vetëm pak ditë. Në vend të pushtuesve filluan të vërsulen bandat e tmerrshme që vrisnin e plaçkitnin, vidhnin njerëzit e rrëmbenin bagëtinë dhe përhapnin kudo panik për banorët. Ishte kjo situatë që i detyroi fshatarët për të krijuar grupet e vetëmbrojtjes, duke krijuar skuadra të armatosura. Kështu deri në verën e vitit ‘42 kur filloi organizimi i çetave partizane. Me shfaqjen e tyre u zhdukën grupet e bandave...
Gjatë luftës italo-greke u shkri kufiri shtetëror me fqinjin e jugut...
Prishja e këtij kufiri i ndihmoi grekët për të kërkuar strehë e ndihmë në tokën tonë. Në vjeshtën dhe dimrin e vitit ‘41-‘42 Greqia u përball me një tragjedi të vërtetë. Lufta shkatërrimtare e kishte lënë vendin pa rezerva ushqimore. Një uri e jashtëzakonshme pllakosi tërë vendin. 320 mijë njerëz vdiqën nga kriza e bukës. Turma të uritura grekësh çdo ditë trokisnin në dyert e shtëpive tona dhe kërkonin një kafshatë bukë sa për të mbijetuar. E vërteta është se fshatarët tanë iu përgjigjën me shumë humanizëm dhe në një kohë kur edhe vetë ishin në një gjendje të mjeruar ndanë me komshinjtë e tyre edhe kafshatën e fundit...
vijon nesër...


Legjenda e ushtarakut që nuk u kthye në atdhe

Një ushtarak madhor nuk zbatoi urdhrin për t’u kthyer në atdhe! Emri i Jani Lufit, akademistit të “Frunze”-së së fillimviteve ‘60, u llogarit nga Tirana zyrtare pjesë e kostos së divorcit me ish-Bashkimin Sovjetik. Gjithçka kishte ndodhur pas përplasjes së Enverit me Hurshovin në Kremlin gjatë mbledhjes së famshme të 81 partive. Zemërimi i kishte lënë vendin goditjes tronditëse. Kokëfortësia shkoi deri te sfida e ndarjes me shpejtësi marramendëse. Urdhrat e nënshkruar nga Enver Hoxha ishin të formës së prerë: Të ndërpriten marrëdhëniet politike, ushtarake, ekonomike me Moskën! Të kthehen të gjithë studentët nga BS! Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe pa mëdyshje. E papritura ndodhi vetëm me studentin e “Frunze”-së që “guxoi” të sfidojë urdhrin e Tiranës. Jani Lufi qëndroi në Moskë dhe nuk i ndërpreu studimet. Një tërbim i furishëm do të vërsulej ndaj tij. Zyrtarët do të plotësonin raportet speciale “Jani Lufi u rekrutua nga KGB-ja”, “E rrëmbeu dashuria e vajzës së gjeneralit”, “E komprometuan me rubla dhe vodka”. Një mori versionesh për tradhti e veprimtari agjenturore u anatemuan për të, aq sa emri i Jani Lufit mori përmasat e një legjende të mistershme. Ndodhte kështu kur ai, ish-partizani i “Thanas Ziko”-s, komunisti nga Sofratika, oficeri madhor i akademisë “Skënderbej”, vazhdonte jetën larg familjes dhe shokëve të afërt, pa e ditur se ç’flitej për të. Gjithsesi misteri do të mbetej i tillë, aq sa do të vazhdonte dhe karriera e tij. “Bukëshkali” i viteve ‘60 mbërriti deri te gjenerali i ushtrisë më të madhe të Evropës Lindore. E gjenerali me brengën e madhe, priti vite e dekada të tëra për t’u kthyer te dheu i të parëve. Priti gjatë për t’u zbutur zemërimi i liderëve komunistë që kishin ngrirë marrëdhëniet midis dy vendeve. Atëherë kur barrierat ranë, Jani Lufi ishte futur në moshën e tretë. “Më mirë vonë se kurrë”, mendoi dhe nxitoi të rikontaktojë me miqtë e dikurshëm. Së paku atyre, qetësohej në vetvete ai, u detyrohem shumë për t’u shpjeguar rrethanat që më lanë në Bashkimin Sovjetik. Legjenda që këtej do të merrte tjetër formë...
 


Një natë në Krasnodar, mysafir te gjeneral Lufi

Vasil Premçi
 
Takimi me gjeneralin shqiptar në Rusi ishte krejt i papritur. Kishim shkuar aty për një seminar ndërkombëtar, dhe e solli rasti të përballeshim me të. Pikërisht në Krasnodar. Teksa kishim mbërritur aty dhe mendoja ku e kisha dëgjuar për herë të parë këtë emër, m’u kujtua romani i Shohollovit “Tokat e Çara” dhe personazhi i përshkruar me mjeshtëri në të. “Për mua, vetëm ai, bën për kryetar i kolektivës. Është njeriu që duhet. Është kokë, jo shaka. Merre me mend: Të sjellë i biri i botës, që nga Krasnodari farë gruri të zgjedhur që s’do t’ia dijë nga asnjë thatësirë. Njeri që punon me mend dhe kurdoherë ka të korrat më të mira...”, E kam njohur qysh herët njeriun e “të korrave të mbara”, po këtë herë kisha shkelur në strehëzën e tij. Në Krasnodar! Kur kërkoja shëmbëlltyrën e tij sipas përshkrimit të Shohollovit të madh, e deshi fati të takoja bashkëkombësin tim, që kishte prodhuar “farën e veçantë të grurit”, që sfidon çdo lloj thatësire. Shfaqja e tij erdhi krejt spontanisht. Pas seancës së parë të seminarit, njëri nga anëtarët e delegacionit tonë, pati një lloj asfiksie dhe kërkoi ndihmën e shpejtë. Drejtori i universitetit, ngarkoi aty për aty të shoqen ta shoqëronte tek një nga mjekët më të mirët e Krasnodarit. Në moment desha t’i thosha diçka, po profesorja Babeshko, që mesa duket e kishte marrë vesh identitetin tonë, kumtoi se do të ftonte për të na ndihmuar për përkthimin një mikun e familjes së tyre, gjeneralin fisnik me origjinë shqiptare, Jani Lufi. Iu deshën vetëm pak çaste për të komunikuar me të në telefon dhe gjithçka mori rrjedhën e vet. Në mbrëmje, kolegu ynë na befasoi duke na treguar se atë e kishte ndihmuar për të komunikuar me mjeken ruse një shqiptar. Madje, jo një shqiptar i zakonshëm, por një ish-gjeneral i njohur i ish-BS me emrin Jani Lufi. Për mua ishte befasi një fakt i tillë. Kur shoku ynë tregonte për takimin me të, dhjetëra pyetje godisnin trurin tim. Si ishte e mundur të ishte këtu, në Krasnodarin e largët një gjeneral rus me origjinë shqiptare?! 
Sakaq kolegu që kishte ndjerë përkujdesjen vëllazërore të gjeneralit, na njoftoi se ai na priste në mbrëmje në shtëpi. Po fati nuk e deshi që të nderoheshim denjësisht, siç prisnim ne, tre anëtarët e delegacionit shqiptar të sizmologjisë dhe gjenerali fisnik që atë natë na kishte pritur deri vonë. Atë ditë çështjet e seminarit u zgjatën pafund dhe mungesa e komunikacionit, na la pa shkuar mysafir te ai. Kur u kthyem në Krasnodar, menduam se ishte e papërshtatshme vizita jonë në atë orë  të vonë. Të lodhur siç ishim ramë të flemë në hotel. Më mundonte dëshpërimi se kishim humbur rastin fatlum për t’u njohur nga afër me gjeneralin Jani Lufi. Teksa bluaja këto mendime, kur kisha bërë dy-tri orë gjumë, bie zilja e telefonit të dhomës. Mesa duket, kishte zbardhur. “Zotëri, në holl ju pret gjeneral Jani Lufi!”. Mjaftoi kaq dhe ne me shpejtësi zbresim në katin e parë të hotelit. Shtanga për një çast, kur pashë njeriun që po na priste. Përpara nesh qëndronte një trup i hijshëm prej ushtaraku, shtatlartë, me një fytyrë fisnike dhe të bukur. Nuk na u desh asnjë sekondë të shkriheshim me radhë në krahët e njëri-tjetrit. “Sigurisht, më ka mbetur pak hatëri, u shpreh ai, jo sepse më shkuan kot shpenzimet për darkën në të cilën ju prita deri vonë, por më shumë për djemtë, para të cilëve u krenova, ndërsa u dhashë lajmin e gëzuar: Bijtë e mi, sot do të kemi për darkë tre vëllezër nga mëmëdheu ynë! Do t’i shihni edhe vetë sa të bukur janë!”,përfundoi gjenerali ligjëratën keqardhëse, por sërish ndër sy i vetëtinte krenaria për dheun e lindjes.   Pastaj nisi të na pyesë për shëndetin dhe familjet. Kërkoi të mësonte nga cilat krahina ishim. Por, ah, akrepat mizore të kohës vraponin si të çmendura. Avioni i linjës Kontur (Krasnodar)-Stamboll, nisej në orën 8 e 30 minuta. Në kohën që dy kolegët po zbrisnin bagazhet, unë e ftova gjeneralin në mensë, ku do hanim mëngjesin. Ai më shoqëroi duke pirë një çaj të nxehtë. Nisa ta pyesja me shpejtësi e tërë ngut, sepse tani nuk priste më koha. Nga cili qytet i Shqipërisë ishte? Si kishte mbetur në Rusi? Kur kishte mbaruar shkollën “Skëndërbej”, po Shkollën e Bashkuar? Sa fëmijë kishte?...
Pyetjeve të mija, filloi tu përgjigjej njëra pas tjetrës. Ishte nga jugu i Shqipërisë, kishte mbetur në Rusi krejt rastësisht, teksa shokët e tij ishin larguar pas divorcit të vitit ‘60. Aty ishte martuar në moshën 37-vjeçare dhe kishte dy djem për të cilët thoshte se kanë bërë kërkesë pranë autoriteteve të Tiranës për të marrë shtetësinë shqiptare. Duke ndjerë se koha po fluturonte, i bëra një pyetje të fundit nëse ndjehej i lumtur në Rusi.”Përse të mos jem i lumtur?! Pas mbarimit të studimeve, këtu krijova familjen. Bashkëshortja më ka vdekur disa vite më parë, por kam dy djem të mrekullueshëm. Të dy kanë mbaruar shkollat e larta dhe kanë dalë në jetë. Këtu më njohin edhe pjesëmarrjen në Luftën Nacional-Çlirimtare. Marr dy pensione; edhe si veteran i luftës, edhe si ushtarak...
Sakaq, kishte mbërritur taksia që kishim porositur dhe po i binte borisë. Duhej të përshëndeteshim e të ndaheshim vëllazërisht.