Kryetari i të rinjve të Partisë Republikane të Presidentit Trump, Jason Emert, ishte një nga personalitet e huaja që shprehu solidaritetin me protestën e opozitës dhe kauzën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme


Në një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetarin Xhoi Malësia, Jason Emert e sheh pozitive protestën si një shenjë të pjekurisë së shoqërisë sonë.


Ai thotë se kur gjendesh me shpatulla pas muri e vetmja zgjidhje mbetet rruga.


Të njëjtin qëndrim shpreh dhe për bojkotin e Parlamentit dhe pse deklaron se do të sjellë vonesa në proçesin e integrimit.


Ai thotë se nevojitet më shumë dialog mes palëve politike në vend.


Mendoj se qeveria dhe opozita duhet të afrohen më shumë. Ata duhet të thyejnë disa barriera dhe të kenë një diskutim konstruktiv, në mënyrë që të formohet një qeveri teknike si garantuese e zgjedhjeve të ndershme. 


Votimin elektonik e shikon të realizueshëm në vendin tonë, por sipas Jason Emert  kjo sdo të thotë që sduhet të ketë një verifikim të proçesit.


Edhe votimi dhe numërimi elektronik mund të jetë i manipulueshëm, thotë ai.


Ndalesa e rradhës pas Shqipërisë do të jetë Maqedonia, e cila ndodhet në një udhëkryq pas lëvizjes së fundit të Presidentit Ivanov.


Mendoj se tashmë Maqedonia është pjesërisht një vend interesant tani. Ata janë kompromentuar nga Fondacioni i Sorosit. Ndikimet e jashtme të këtyre organizatave nuk janë të shëndetshme për proçeset demokratike. Mendoj se ka një interferencë. Mendoj se veçanërisht Xhes Baili ka lidhje me fondacionin në një pozicion krejtësisht kompromentues. Do të shkoj në Maqedoni dhe do të kuptoj se cfarë po ndodh ekzaktësisht.


Informacioni që mund të marr shpesh herë në Shtetet e Bashkuara mund të mos jetë shumë herë aq i vërtetë sa dueht të jetë. Kam disa miq ne Maqedoni. Jam takuar me këtë grup. Ata ishin në Uashington javën e shkuar, unë do të shkoj në vendin e tyre. Ne do të mundohemi të kuptojmë se çdo ndodh dhe të shohim rrugën më të mirë drejt së ardhmes për atë vend.


Intervista e plotë


Zoti Emert, fillimisht më lejo të të falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë për televizionin Ora News.


Emert: Është mirë të jem këtu. Faleminderit për ftesën.


 Ju keni qënë këtu për disa ditë. Cila ka qënë arsyeja e vizitës suaj?


Emert: Qëllimi i vizitës sime ka qënë që të vij dhe të tregoj mbështetje për miqtë e mi që janë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e sidomos pas protestës së 18 shkurtit. U frymëzova shumë prej saj.


 Meqë po flisni për protestën. A mund t’a qartësoni qëndrimin tuaj mbi këtë protestë?


Emert: Unë mendoj se protestat janë një shfaqje e mrekullueshme e demokracisë dhe e lirisë së shprehjes. Mendoj se është një proçes i tillë dhe unë jam i lumtur që jam pjesë e tij.


A jeni dakord me kauzën e kësaj proteste, pra cështjes të cilës PD po mbron ose të themi po advokon?


Emert: Po, absolutisht.


Dhe përse mendon kështu?


Emert: Sepse mendoj se është e rëndësishme që gjatë këtij proçesi tranzitor në qeveri, është e rëndësishme që të ketë një reformim. Pra është mirë që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë perspektivë, mendoj se të protestuarit në kohën që ka tensione mbi këtë çështje, pra është e rëndësishme që qytetarët të dëgjohen, pasi zëri i tyre nuk është dëgjuar nëpërmjet proçesit tradicional demokratik.


Ju pamë që mbajtët një fjalim në të ashtëquajturën ‘çadrën e lirisë’. Cili është mesazhi politik që ju sillni këtu?


Emert: Është thjeshtë një mënyrë solidare për të mbështetur protestën. Ata po tregojnë një shembull për Shqipërinë por besoj se është diçka e mirë edhe për rajonin.


A është ky një qëndrim i Partisë në Pushtet në Shtetet e Bashkuara, pra e Partisë Republikane, apo një opinion i Sekretarit të Përgjithshëm të Republikanëve të Rinj?


Emert: Kjo është një shenjë mbështetje nga Sekretari i Përgjithshëm i Republikanëve të rinj, por unë mund të them se qeveria jonë e re dhe Presidenti Trump janë pro zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pra mbështet kauzat pro-demokracisë në mbarë botën dhe ne do të qëndrojmë përkrah atyre që duan t’a mbrojnë demokracinë.


Pra, a është ky një qëndrim i juaji personal?


Emert: Ky është një opinion i imi personal, pra po.


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por edhe delegacioni i BE-së, e kanë bërë qëndrimin e tyre mjaft të qartë. Ata janë shprehur se ‘e mbështesin protestën, por nuk mbështesin bojkotin e parlamentit, i cili gjithashtu mund të dëmtojë zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi, por edhe integrimin e mëtejshëm në Bashkimin Europian. A keni një koment mbi këtë çështje?


Emert: Unë e kuptoj mjaft mirë pozicionin në të cilin janë ata, si ambasadën ashtu edhe delegacionin e BE-së. Ata sigurisht që mbështesin protestën, por të them të drejtën unë nuk bie dakord me vlerësimin që ndërkombëtarët i kanë bërë situatës. Çdo herë që e ke shpinën pas murit dhe kur e ndjen se zëri yt nuk po dëgjohet, në çdo mënyrë apo formë, ti duhet të dalësh në rrugë. Duhet të mbrosh demokracinë. Mendoj se protestuesit kanë të drejtë që të bëjnë atë të cilën po bëjnë sot.


Çfarë mendon për votimin elektronik?


Emert: Mendoj se votimi elektronik mund të jetë një ide e mirë në situata të caktuara, për aq kohë sa ka një verifikim të procesit, e sidomos nëse prezantohet në një vend për herë të parë. Për shembull, pati votime elektronike në Republikën Domenikane në zgjedhjet e fundit. Kjo ishte diçka kontroversiale.  Unë pata disa mospajtime me atë proces.


Në momentin që ne po flasim, a e aplikojnë Shtetet e Bashkuara këtë formë votimi? Pra votimin dhe numërimin elektronik?


Emert: Po, ne e aplikojmë. Ne kemi një demokraci të maturuar dhe nuk ka asnjë arsye që të hedhim dyshime mbi zgjedhjet apo mbi numërimin e votave?


Por, a aplikohet kjo metodë në çdo shtet?


Emert: Çdo shtet ka mekanizma të ndryshëm të numërimit të votave. Pra, kanë makineri të ndryshme. Asnjë prej tyre nuk është e lidhur në rrjet gjatë momentit të votimit, pra përgjatë gjithë procesit. Megjithatë, edhe nëse ke dyshime mbi manipulime të mundshme, të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë rinumërim të votave në një zone të caktuar.


A mendon se kjo metodë mund të jetë e aplikueshme edhe në Shqipëri?


Emert: Unë mendoj se mund të jetë e aplikueshme, por kjo sdo të thotë që ju sduhet të keni një verifikim të proçesit. Unë mendoj se është e rëndësishme që të keni besim tek shifrat që do të dalin pas numërimit, pra, që qytetarët ti besojnë rezultatet e votimeve. Nëse qytetarët mendojnë se votat do të vidhen, apo se sistemi është i korruptuar duhet të kenë një mënyrë të qartë procedimi mbi mënyrën se si do të verifikohet proçesi i numërimit. Unë mund ta kuptoj lehtësisht diçka të tillë, pasi në vendet që kam qënë në mbarë botën dhe ku është përdorur për herë të parë votimi elektronik, qytetarët nuk kanë besim tek proçesi pasi nuk kanë besim tek qeveria e tyre. Mendoj se ka edhe këtu një mungesë besimi ndaj shpresoj që te ketë një sistem verifikimi për çdo proçes votimi elektronik.


A mendon se votimi dhe numërimi elektronik mund të jetë i manipulueshëm?


Emert: Sigurisht që mund të jetë i manipulueshëm. Dhe nëse po flisni për atë që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, bëhet fjalë për një tjetër lloj mashtrimi. Gjithçka mund të jetë e manipulueshme, edhe votimi i drejtpërdrejtë. Dhe mendoj se thjesht fakti që bëhet fjalë për votim elektronik, kjo nuk e përjashton mundësinë e mashtrimeve ose dhunim të sovranitetit.


Partia Demokratike në Shqipëri ka bojkotuar Palamentin, por edhe institucione të tjera. A keni ju një koment mbi këtë çështje?


Emert: Sikurse e thashë edhe më parë. Sa herë që je me shpinë pas muri dhe zëri yt nuk po dëgjohet përmes mekanizmave të qeverisë nuk keni asnjë zgjidhje tjetër përvecse të protestoni. Dhe nëse dicka e tillë ndodh, pra nëse nuk dëgjohen qytetarët, ata do të dëgjohen nëse dalin në rrugë, nëse shkojnë tek çadra, nëse dalin tek sheshi i lirisë dhe nëse lajmëron të gjithë qytetarët e vendit se ku po qëndron, pasi mesazhi po përcillet nëpërmjet medias dhe formave tradicionale. Pra, mendoj se Partia Demokratike po bën ekzaktësisht atë që do ti duhej të bënte, në mënyrë që të përcillte mesazhin e saj, pasi dëgjimi i zerit të qytetarëve në mënyrën e zakonshme nuk është lejuar nga qeveria.


Por a e dëmton kjo protestë opozitën në vetvete si dhe rrugën e integrimit europian të Shqipërisë?


Emert: Nuk mendoj se e dëmton rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo protestë përveçse tregon një mosbesim ndaj qeverisë, tregon edhe një nivel të lartë maturimi demokratik. Qytetarët po tregojnë se janë të lirë që ta shprehin mendimin e tyre lirisht në rrugë. Pra është një proces paqësor, është qartësisht jo i dhunshëm. Është thjesht një mënyrë për të përcjellë mesazhin e qytetarëve në një mënyrë të ndryshme, pasi ata gjykojnë se nuk po dëgjohen. Mendoj se bëhet fjalë për dicka krejt normale në një shtet demokratik. Kemi protesta të tilla edhe në Shtetet e Bashkuara, ku njerëz që nuk janë dakord me Presidentin Donald Trump, kanë dalë në rrugë dhe kanë qenë paqësor në shumë raste. Thënë edhe njëherë është proçes normal në demokraci dhe për me tepër besoj se është e shëndetshme.


Por, Partia Demokratike në SHBA nuk e bojkotoi Senatin apo dhomën e Përfaqësuesve. A mendon se protesta e PD në Shqipëri mund të realizohet edhe pa bojkotin e Parlamentit?


Emert: Në fakt, unë nuk bie dakord në këtë pikë me ju. Ata në fakt kanë bojkotuar Senatin. Ata nuk kanë konfirmuar nominime të ndryshme.


Por jo për kauzën Trump.


Emert: Absolutisht po. Ata nuk janë paraqitur në seancat dëgjomore të komiteteve të ndryshme, që është edhe raundi i parë drejt zyrtarizimit të të nominuarve nga Presidenti.


Megjithatë, ata janë rikthyer.


Emert: Ata janë kthyer, por ne ende jemi në atë proçes. Jemi ende duke konfirmuar të nominuarit, pasi një pjesë e demokratëve nuk shfaqen në mbledhjet e komisioneve. Ata refuzojnë të konfirmojnë të përzgjedhurit për sistemin gjyqsor dhe për antarët e kabinetit. Sigurisht që ata po luajnë pjesën e tyre atje, është pjesë e lirisë së tyre dhe është pjesë e së drejtës së tyre.


Bojkoti?


Emert: Po.


Por, a e dëmton bojkoti rrugën drejt BE?


Emert: Sigurisht që e dëmton rrugën e anëtarësimit, pasi është një ngadalësim i proçesit. Ata kanë çdo të drejtë që ta bëjnë diçka të tillë. Sikurse bënë edhe republikanët në seancat dëgjimore që u mbajtën për Merrick Garland në fund të presidencës së Obamës, pra kur refuzuan që të shkonin në senat për seancat dëgjimore. Ata kanë çdo të drejtë që ta bëjnë dicka të tillë, pasi flitej për një kandidat nga një president në fund të mandatit dhe duhet ti takonte qytetarëve e drejta për të zgjedhur një kandidat. Besoj se ka një panoramë të ngjashme edhe këtu. Duhet të ketë një proçes të rregullt zgjedhor me qëllim që qytetarëve tu rikthehet besimi si dhe të kenë besim mbi votën e tyre.


Duke konsideruar se Shqipëria ka qënë në një proçes tranzicioni politik pas rënies së komunizmit. Si e vlerësoni progresin që ka bërë vendi ynë përgjatë kësaj periudhe kohore. Mendon se ka qënë një proces i mirë, apo ndoshta mund të kishte edhe më mirë?


Emert: Mendoj se në tërësi, ka patur një progres pozitiv. Por tashmë ju po shihni një qeveri të mbushur me kriminelë dhe korrupsion. Ky mund të jetë një tren i rrezikshëm që mund tju rikthejë në kohën e komunizmit. Pra, mund të rikthejë pas praktikat totalitare, për të cilat mendoj se nuk janë të shëndetshme për një vend demokratik. Por, nëse po flisni se ku kemi qenë dhe ku po shkojmë, mendoj se Shqipëria mund ta tejkalojë këtë situatë dhe të jetë një komb demokratik.


Sikurse e përmendëm edhe pak më parë, ju keni qënë këtu për disa ditë. A keni ndonjë koment për kulturën tonë politike?


Emert: Unë e shijoj kulturën politike këtu, pasi shijoj gjithashtu edhe shpirtin luftarak që ka politika në vetvete. Kur dy parti politike kanë pikëpamje vërtet të ndryshme dhe në këtë mes ka tension, besoj se është dicka e mirë, e sidomos kur proçesi ndodh në mënyrë paqësore. Besoj se kjo është diçka rigjeneruese dhe mendoj se çdo kush në Shqipëri duhet të ndihet krenar për atë që po bën Partia Demokratike, në këtë shfaqje të lirisë së shprehjes.


Mendoni se kemi nevojë për më shumë dialog?


Emert: Absolutisht po, mendoj se qeveria dhe opozita duhet të afrohen më shumë. Ata duhet të thyejnë disa barriera dhe të kenë një diskutim konstruktiv, në mënyrë që të formohet një qeveri teknike si garantuese e zgjedhjeve të ndershme.


Pas Shqipërisë, ju do të vizitoni Maqedoninë.


Emert: Po.


Presidenti i këtij vendi, Gjorge Ivanov, refuzoi që ti jepte një mandat liderit social demokrat Zoran Zaev, pavarësisht presionit të jashtëm nga Perëndimi. A keni ju një koment për këtë çështje?


Emert: Mendoj se tashmë Maqedonia është pjesërisht një vend interesant tani. Ata janë kompromentuar nga Fondacioni i Sorosit. Mendoj se ky është një pasqyrim i asaj që mund të ndodhë në të gjithë rajonin. Jo më larg se dje ka patur një thirrje nga Senati i Shteteve të Bashkuara, por edhe nga ish-senatorë si Xhim Demint, faktorë që kanë presuar në lidhje me një investigim të mundshëm edhe mbi punën e ambasadës sonë në Maqedoni, për ndërhyrje në proçeset demokratike si dhe dyshimet e mëdha për përfshirjen e Fondacionit Soros.


Në fakt, ka patur shumë deklarata për lidhje të Fondacionit Soros me ambasadat amerikane në Shqipëri dhe Maqedoni, në shumciën e rasteve akuza që kanë ardhur nga mediat opozitare. A keni ju një koment mbi këtë cështje, gjë që duket se po shkakton një intereferencë të madhe në politikat e brendshme të këtyre dy shteteve?


Emert: Unë do të them se ndikimet e jashtme të këtyre organizatave nuk janë të shëndetshme për proçeset demokratike.


A mendoni se ka një ndikim të jashtëm?


Emert: Absolutisht po, mendoj se ka një interferencë.


Por, Departamenti juaj i Shtetit, ka shprehur besim mbi punën e dy Ambasadorëve, Xhes Baili dhe Donald Lu.


Emert: Mendoj se veçanërisht Xhes Baili ka lidhje me fondacionin në një pozicion krejtësisht kompromentues. Përfshirja me Fondacionin Soros, mund të shihni edhe artikujt që kanë dalë sot në media, komente nga ish-senatori Xhim Demint. Besoj se Soros mund të ketë patur edhe ndikim mbi Departamentin tonë të Shtetit.


Por Departamenti juaj i Shtetit tregoi besim tek puna e Ambasadorëve.  


Emert: Besoj se e ka bërë Departamenti i Shtetit në administratën Obama, por me një President të Ri, me një Sekretar të ri dhe zyrtar të rinj, gjërat do ndryshojnë.


Në fakt, besimi është shprehur nga administrata Trump.


Emert: Administrata Trump e ka bërë të qartë se do të shkurtojë 37% të fondeve për ndihmë të jashtëme. Kjo është pjesë e një procesi rivlerësimi mbi përfshirjen e një sërë entiteteve si Fondacioni i Sorosit Shoqëri e hapur, por edhe të disa organizatave të tjera.


Në rregull, lë të rikthehemi tek Maqedonia. Refuzimi i Presidentit u bazua mbi të ashtëquajturën platform shqiptare e cila është arritur me mbështetjen e Tiranës. Mendoni se vendimi i tij për të bllokuar mandatimin e Zoran Zaev me këtë argument është i drejtë?


Emert: Kjo është një prerogativë e së drejtës së tij. Nuk jam shumë i informuar mbi këtë situatë, por kjo do të jetë e tillë deri në momentin që do të shkoj në Maqedoni dhe do të kuptoj se cfarë po ndodh ekzaktësisht. Informacioni që mund të marr shpesh herë në Shtetet e Bashkuara mund të mos jetë shumë herë aq i vërtetë sa dueht të jetë. Kam disa miq ne Maqedoni. Jam takuar me këtë grup. Ata ishin në Uashington javën e shkuar, unë do të shkoj në vendin e tyre. Ne do të mundohemi të kuptojmë se çdo ndodh dhe të shohim rrugën më të mirë drejt së ardhmes për atë vend.


Mbase do të informoheni më shumë në ditët që do të vijnë.


Emert: Absolutisht që po.


Kam edhe disa pyetje për vendin tuaj dhe polikat e tij të jashtme. Republikanët janë rikthyer në pushtet pas tetë vitesh nën administratën Obama. Mendoni se mbështetja e vendit tuaj për Shqipërinë do të vijojë?


Emert: Mendoj se kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe miq në Shqipëri. Unë smund të flas në emër të administratës, por kur ke miq si Shqipëria do të më dukej vërtet e çuditshme në rast se nuk do ta vazhdonim këtë marrëdhënie të shkëlqyer që kemi patur gjithmonë me njerëzit këtu.


A jeni në dijeni të disa deklaratave që Kryeministri ynë bëri për Donald Trump gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara?


Emert: Jam në dijeni.


Mendoni se diçka e tillë mund ta dëmtojë marrëdhënien tonë?


Emert: Nuk mendoj kështu. Besoj se ky është një vend i veçantë me njerëz të veçantë. Presidenti Trump do të ketë një marëdhënie të shkëlqyer me çdo Kryeminstër që mund të jetë, por veçanërisht nëse do të kishte një ndryshim do të ishte mirë pasi qeveria ka shprehur antagonizëm ndaj Presidentit tonë. Nuk besoj se kjo është diçka e mirë për marrëdhënien tonë dhe përpjekjet për të krijuar besim të ndërsjelltë. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një Kryeministër të ri, për një person i cili nuk është shprehur me nota antagoniste për administratën tonë. Sigurisht që si antar i Partisë Republikane unë do të rradhitem për krah Partisë Demokratike të Shqipërisë. Pra, ne do të donim shumë që ti rishihnim ata prap në pushtet. Sigurisht që do të rindërtojmë atë ndjenjën e besimit të ndërsjelltë me administratën tonë.


Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë gjitahshtu një marëdhënie të vecantë edhe me Kosovën duke qënë se ishin superfuqia kryesore që mbështeti pavarësinë e këtij shteti. Gjithashtu, Sekretari juaj i mbrojtjes, Xhejms Matis, shfaqi mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në një ushtri të mirfilltë. Mendoni se edhe administrata Trump do ta vijojë këtë mbështetje tradicionale për Kosovën?


Emert: Besoj se kjo është pjesë e vazhdimit të punës së Trump. Gjithashtu, edhe Sekretari Mattis po tregon mbështetje për këtë vend duke përkrahur transformimin e FSK-së. Ne nuk do të lëmë njeri pas. Përkundrazi, besoj se ne do të vijojmë punën për ta mbështetur Kosovën. Ne duam ta shohim këtë shtet sa më të sigurt dhe të ketë zhvillim pozitiv të proçeseve demokratike.


Si i shihni marëdhëniet bilaterale Rusi-SHBA dhe premtimin e Donald Trump për të ridimensionuar këtë marrëdhënie?


Emert: Mendoj se në raport me Rusinë ka gjithnjë hapësirë për të patur kujdes. Por nëse ne mund të kemi një marëdhënie për një interes të caktuar apo një linjë të caktuar, unë nuk shoh asnjë problem me premtimin e Trump. Nëse ai mund të gjejë hapësira të tilla bashkë me Presidenti Putin dhe nëse ndajnë qëndrime të njëjta, pse jo. Jam ende në pritje për të parë se ku mund të ketë linja të përbashkëta, por nuk besoj se ka ndonjë problem që të kërkojmë diçka të tillë.


Mendoni se këto dy vende mund të bëhen miq me njëri-tjetrin, pasi historia ka treguar krejtësisht të kundërtën?


Emert: Unë nuk mendoj se kemi nevojë të bëhemi miq, por partnerë. Kjo është ajo që përsëris gjithmonë kur bëhet fjalë për të gjetur linja të përbashkëta. Ne duhet të gjejmë hapsira bashkëpunimi, por gjithmonë duhet të mbetemi skeptik nëse vjen puna për të firmosur një kooperim gjithnjë e më të ngushtë me Rusinë.


Por a mendon se SHBA duhet ti bëjë ballë Rusisë për të mbrojtur vlerat perëndimore?


Emert: Absolutisht po. Sa herë që ka diçka në kundërshtim të aleatëve tanë, qoftë kjo në Ballkan, në Europë Lindore, vendet baltike apo edhe rajonet e tjera, ne duhet të përballemi për aleatët tanë dhe besoj se do ta bëjmë gjithmonë një gjë të tillë kur t ë jetë e nevojshme. Mbase kështu do ti japim një shenjë Rusisë që të mos sillet në mënyrë agresive. Mendoj se sanksionet e vendosura nga administrata Obama kanë shërbyer vetëm për të dëmtuar rusët e zakonshëm dhe aleatët tanë në rajon që varen nga ky bashkëpunim bilateral. Pra, ne duhet që të rishikojmë mënyrën se si do të merremi me Rusinë dhe gjithashtu, llojin e marrëdhënies që do të kemi, pasi ky bashkëpunim është ende në proçes formësimi.


Kur flasim për Rusinë, ka ende një cështje mjaft të debatuar në Shtetet e Bashkuara. Prokurori juaj i Përgjithshëm tashmë do të hetohet për një takim që ka patur me palën ruse. Dhe gjithashtu ka shumë aspekte që duhen sqaruar. Mendoni se Rusia ka interferuar në proçesin tuaj zgjedhor?


Emert: Jo, nuk mendoj se kanë ndërhyrë në asnjë lloj forme. Besoj se kjo është thjesht një vazhdimësi e retorikës e demokratëve. Hillary Clinton u mund të në zgjedhje dhe kjo ndodhi sepse qytetarët vendosën të mbështesin Donald Trump.


Z. Emert, edhe njëherë faleminderit për këtë intervistë.


Emert: Faleminderit edhe ju për ftesën. E vlerësoj shumë këtë mundësi.  



/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter