Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - Një Dinamo apatike, pa shpirt e grintë, ende nën “sindromin Shkumbini”, barazoi në mënyrë të turpshme në “Qemal Stafa” me Laçin (1-1), me një gol të realizuar me 11-metërsh nga Sebino Plaku, pikërisht në minutën e dytë të shtesës prej katër minutash të dhënë nga gjyqtari “patriot” Lorenc Jemini. Arlind Nora realizoi një gol të shpejtë në minutën e 12-të për Laçin duke entuziazmuar trajnerin e tij, Stavri Nica, e vendosur në alarm atë të Dinamos, Shkëlqim Muça, që u detyrua të hidhte në fushë edhe sulmuesin Sebino Plaku në vend të mbrojtësit Erion Xhafa. Për gjirokastritin Nora bëhet fjalë për golin e katërt sezonal. Ndeshja ishte përgjithësisht e ekuilibruar, por me një Dinamo pa ngjyrë e një Elis Bakaj jo në ditën e tij më të mirë. Gjyqtari Lorenc Jemini dha një 11-metërsh në minutën e 86-të, por asistentit i tij, Gerhard Qirici, kishte sinjalizuar për një pozicion jashtë loje të sulmuesit Elis Bakaj, çka solli edhe reagimin e lojtarëve të Dinamos. Arbitri Jemini dha katër minuta shtesë dhe në minutën e 92-të , argjentinasi fitoi një 11-metërsh. Sebino Plaku u shfaq te pika e bardhë duke u treguar i saktë e dhuruar një pikë turpi Dinamos. Ky ishte goli i dytë sezonal i Sebino Plakut. Në fazën e parë, Dinamo kishte fituar 1-0 në Laç. Ky ishte barazimi i katërt historik midis dy skuadrave në 21 ndeshje historike: 15 fitore Dinamo; 2 fitore Laçi. Gjithsesi, Dinamo e mbylli pjesën e parë si kampione e dimrit, me 42 pikë në 17 javë, 13 fitore, 3 barazime e 1 humbje, duke pasur 12 pikë më shumë se Besa e vendit të dytë, por kavajasit kanë një ndeshje më pak, atë kundër Skënderbeut (java 16), takim i shtyrë për shkak të terrenit të papërshtatshëm të stadiumit të korçarëve. Ndeshja e parë e Dinamos pas pauzës dimërore është ajo kundër Tiranës, ndaj së cilës fitoi 2-1 në fazën e parë, pikërisht në debutimin e trajnerit bardheblu Alban Tafaj.
Teuta-Shkumbini
Teuta triumfoi minimalisht 1-0 ndaj një Shkumbini euforik në “Niko Dovana”, falë një goli me kokë të realizuar nga kosovari Berat Hyseni në minutën e 44-t, duke u hakmarrë në një farë mënyre edhe për atë humbje të thellë 4-1 në fazën e parë në Peqin. Formacioni durrsak iu rikthye fitores (e 8-ta sezonale) pas humbjes 2-1 me Vllazninë në Shkodër, duke e mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e pestë, edhe pse grupi i lojtarëve është përgjithësisht i ri dhe në kuota të “lehta” financiare. Shkumbini i Përparimi Daiut (vinte pas fitores së bujshme 4-0 kundër Dinamos) pati rastin e parë të artë, kur lojtari më i mirë i peqinasve në javët e fundit, mesfushori Ilirjan Çaushaj goditi në minutën e 40-të shtyllën horizontale të portës së mbrojtur nga Bledar Vashaku. Katër minuta më pas u realizua edhe goli i vetëm i ndeshjes nga ana e ish-lojtarit të Tiranës, Berat Hyseni, por që i mjaftoi Teutës të Mirel Josës të siguronte tri pikë të çmuara e barazimin me pikë me Apoloninë e vendit të katërt (të dyja nga 25 pikë). Shkumbini pësoi humbjen e 8-të sezonale (të 7-n në transfertë), që përkoi edhe me dështimin e parë (dinjitoz) të trajnerit Përparim Daiu. Me këtë fitore, e 17-a në 40 ndeshje historike, Teuta e kaloi Shkumbinin, që nga ana e tij ka 16 fitore (7 barazime).
Besa-Gramozi
Besa ia doli të marrë tri pikët ndaj një Gramozi (1-0) me shumë mungesa, por edhe me një drejtim paksa të paqartë të “bilbilit” Ervis Peza, në një ndeshje ku u dhanë dy kartonë të kuq, nga një për secilin ekip. Golin e vetëm të takimit e shënoi Paulin Dhëmbi në minutën e 14-të, i pari i mesfushorit korçar me fanellën verdhezi. Sulmuesi i talentuar i Besës, Sokol Cikalleshi në minutën e 41-të gjuajti nga 20 metra, por portieri Olgert Ahmetlli tregoi klasin e tij, duke e grushtuar sferën e shmangur golin e dytë të Besës. Gjyqtari Ervis Peza u bë personazhi i takimi kur i mohoi një penallti të pastër Gramozit, pasi portieri Orges Shehi frenoi një lojtar të kolonjarëve në minutën e 44-t. Kapiteni i Besës u ndëshkua me karton të kuq, ndërkohë arbitri dha goditje të lirë në afërsi të zonës, të shoqëruar me protesta të ashpra të stafit të Gramozit, të cilët kërkonin 11-metërsh.
Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, largoi Liridon Lecin për ti bërë vend për portierit të dytë, Elidon Selaçi, në debutimin e tij në Kategorinë Superiore me fanellën e Besës. Ekuilibri i lojtarëve në fushë u vendos në minutën e 50-të, kur Aleksandër Gosevski u ndëshkua me karton të kuq për prekje të qartë të topit me dorë. Goli i Dhëmbit rezistoi deri në fund të takimit, duke qenë në sinkron edhe dëshirën e trajnerit Shpëtim Duro, që pikërisht sot mbushi 50 vjeç. Me këtë humbje, Gramozi tashmë e sheh veten në vendin e fundit (15 pikë, po aq sa Flamurtari i vendit të 11-të, por me golaverazh më të mirë), ndërkohë që Besa rimori vendin e dytë (30 pikë), duke pasur 12 pikë më pak se Dinamo e vendit të parë. Kavajasit kanë një ndeshje më pak, atë kundër Skënderbeut (java 16), takim i shtyrë për shkak të terrenit të papërshtatshëm të stadiumit të korçarëve.



Ky lajm është publikuar: 25/12/2009