idriziPërkujtimi


Aktivitet pë Hasan Tahsinin. Idrizi: Ishte ndër rilindësit e parë të kombit shqiptar


Në respekt të figurës së rilindësit Hoxhë Hasan Tahsini, shoqata “Ibrahim Dalliu” dhe shoqata “Çamëria” organizuan një aktivitet të veçantë, ku morën pjesë shkencëtarë nga fusha të ndryshme, klerikë dhe përfaqësues të shqiptarëve të Çamërisë. Gjatë këtij aktiviteti, përshëndeti edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, teksa ky aktivitet përkoi me kulmimin e Javës së Historisë dhe Kulturës së Çamërisë. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, vlerësoi figurën e Hasan Tahsinit, si një shkencëtar shumëdimensional, rilindës ndër të parët e kombit shqiptar dhe figurë e njohur e shkencës dhe themelues i arsimit të lartë në mbarë Perandorinë Osmane.


Rilindësi i kombit


Hasan Tahsini lindi më 1811 në Ninat të Çamërisë. Ai ishte rilindës, filozof, matematikan, astrolog, psikolog shqiptar. Dijetar i shkallës botërore e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare. Përveç gjuhës amtare, ai zotëronte edhe disa gjuhë të huaja si turqisht, arabisht, persisht dhe frëngjisht. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në Perandorinë Osmane, si dhe Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar, institucion që u përdor edhe si universitet. Ai u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; atë osman, si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyejve eprore për diturinë shqiptare. Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në Perandorinë Osmane shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ai ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte atë të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.


Java Çame


Në moton Ne nuk harrojmë!, PDIU dhe shoqata Çamëria nga 23-28 qershori organizuan javën e historisë dhe të Kulturës Çame. Ky organizim i përvitshëm ishte i veçantë, pasi përkonte me 70-vjetorin e masakrës së trupave greke ndaj popullsisë çame. Me iniciativën e PDIU-së në seancën plenare të së enjtes, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në kujtim të qindra e mijëra viktimave të gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë. Kreu i PDIU-së, Idrizi, kërkoi me forcë angazhimin e shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes çame, duke u bazuar dhe në rezolutat e miratuara nga vetë Kuvendi i Shqipërisë ndër vite. Aktiviteti mbyllet me organizmin e homazheve në varrezat e Kllogjerit, në pikën kufitareve të Qafë-Botës.


 


Ky shkrim Java çame mbyllet me homazhet në Kllogjer u publikua me pare te Gazeta SHQIP.