Flamurtari ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit kampion duke fituar 0-1 në transfertën kundër Laçit. Sukses i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Magani, që ka thelluar me tetë pikë diferencën me ndjekësin më të afërt në krye të renditjes. Vendos edhe një herë goleadori vlonjat Daniel Xhafaj, i cili ka shënuar golin e vetëm që i dha Flamurtarit tri pikë në ndeshjen që hapi dhe javën e 19-të të Superligës.


Në stadiumin e Lacit është zhvilluar një ndeshje e bukur, ku të dyja skuadrat do t’i afroheshin golit të avantazhit që në pjesën e parë. Rastet për shënim nuk do të mungonin, por aksionet nuk do të shfrytëzoheshin në mënyrën më të mirë nga futbollistët e dy formacioneve duke lënë të pandryshuara shifrat e rezultatit për 45 minutat e para. 

Edhe fraksioni i dytë do të luhej me një ritëm të lartë. Flamurtari do të ishte më i rrezikshëm dhe në minutën e 62-të do të gjente golin e avantazhit me Xhafaj. Goditje e saktë e sulmuesit në hyrje të zonës që do të ndalej vetëm në rrjetë. Megjithë përpjekjet e vendasve për të shënuar në minutat e mbetura, ky gol do të vuloste përfundimisht sfidën me fitoren e Flamurtarit që është ngjitur në kuotën e 43 pikëve në vendin e parë të renditjes.

Java e 19-të e Superligës do të vazhdojë në fundjavë me ndeshjet e tjera: Bylis – Dinamo, Vllaznia – Shkumbini, Kastrioti – Sënderbeu, Tirana – Besa dhe Elbasani – Teuta. 

Nertan Prifti