Prishtina i rikthehet ritmit të jazzit. Edicioni i shtatë i Prishtina Jazz Festival filloi të mërkurën mbrëma, dhe do të zgjas deri të hënën, më 7 nëntor. Sipas organizatorëve, festivali i sivjetmë do të jetë paksa më ndryshe. Për të mirë, natyrisht.

Prishtina Jazz Festival, për të shtatën herë, po i rikthehet Prishtinës. Ky festival renditet ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Festivali i cili ka filluar të mërkurën mbrëma e i cili do të zgjasë deri më shtatë nëntor, nëpër vite, ka arritur të stimulojë zhvillimin dhe ngritjen e jazz skenës kosovare duke u bërë pjese e rrjetit të jazz festivaleve evropiane.

Mbrëmë, në Hamam Jazz Bar, pianisti i ri kosovar, Vigan Kuçi, ka përformuar live, duke sjellë muzikë interesante të veçantë për dëgjim. Stili dhe performimi i Kuçit, pjekuria e tij artistike dhe muzikore dëshmojnë për një artist të talentuar që premton shumë.

Ndërkohë, Hamam Jazz Bar është tashmë sinonim i cilësisë kur behet fjalë për muzikë ‘live’. Çdo javë, për 4 net rresht, në skenën e Hamam performojnë shumë bende të mirënjohura të Ballkanit dhe të botës. Ja përse Hamam do të jetë partner i denjë i Prishtina Jazz Festival, një bashkëpunim që lindi mëse natyrshëm mes këtyre dy institucioneve të muzikës në qytetin e Prishtinës.

Prishtina Jazz Festival do të prezantojë grupet dhe muzicientët e jazz skenës kosovare në jazz maratonën e këtij edicioni. Maratonë e muzikës, bashkëpunimit dhe kreativitetit të kombinuar me jazz dhe etno ndikime.

Sot (e enjte) në orën 19:00 do të performojë OM kuartet, Trio of Love dhe Trio “A.E.A”, ndërsa në ditët tjera, më 4 nëntor në orën 21:00 do të performojë Ferit Odman Kuartet, ky i fundit është jazz tupanxhi nga Turqia.

Më 5 nëntor në orën 21: 00 do të mund të dëgjojmë muzikën e Marco Bardocia dhe albumin e tij të dytë “The dreamer”. Të dielën me 6 nëntor do të njihemi me ‘Operation Charlie’ event special, koncert dhe promovim i CD-së. “Një histori e një kohe të pacaktuar e të rëndë, kur bandat donin më shumë se sa kryerja e vjedhjeve të vogla, të neveritur nga mungesa e shijes së aksionit real. Në këtë slitë shqetësuese e emocionuese një djalë i quajtur Charlie dhe ekuipazhi i tij janë duke planifikuar të vjedhin një bankë. Ata kanë një plan që nuk mund të shkojë keq. Ajo që ata nuk kanë është pëlqimi i shefit lokal. Tani ata duhet të merren si me ligjin ashtu edhe me krimin. A do t’ia arrijnë?”, shtrohet pyetja.

Ndërkaq, të hënën me shtatë nëntor në Prishtina Jazz Festival, në orën 21:00, do të jetë “Ferenc and Magnus Mehl Quartet” që përbëhet nga muzicientë të rinj që janë zgjedhur dhe përkrahur nga National German Youth Jazz Orchestra dhe orkestra të ndryshme shtetërore.