Anëtarët e lëvizjes së protestave në Francë, të vetëquajtur Jelekët e Verdhë kanë shkatërruar pothuajse 60% të rrjetit të të gjitha radarëve dhe kamerave të shpejtësisë në vend.


Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm Christophe Castaner, i cili tha se dëmi i qëllimshëm ishte një kërcënim për sigurinë në rrugë dhe vë në rrezik jetën e qytetarëve.


Lëvizja e protestës nisi kundër rritjes së taksave të karburantit dhe pa shoferët të bllokojnë rrugët dhe kabinat e autostradave. Disa protestues mendojnë se kamerat e shpejtësisë janë vetëm një masë që gjeneron të ardhura e që merr para nga të varfërit.


Hugh Schofield i BBC në Paris, tha se prova e vandalizmit është e dukshme për të gjithë ata që drejtojnë automjetet në të gjithë Francën, me kamerat-radare të mbuluara me bojë ose shirit të zi për t’i ndaluar ato të punojnë.


Por shtrirja e dëmit – që tani besohet të ketë prekur më shumë se gjysmën e 3.200 kamerave të shpejtësisë në rrjetin rrugor të vendit – ishte e panjohur deri në deklaratën e Castaner të enjten.


Ai tha se pajisjet janë “neutralizuar, sulmuar ose shkatërruar” nga anëtarët e lëvizjes së protestës.


Kufijtë e shpejtësisë në Francë ishin tashmë të diskutueshme pasi qeveria uli kufirin në shumë rrugë kryesore nga 90 km/h në 80 km/h në fillim të vitit të kaluar.


Teksa numri i njerëzve që ndjekin protestat e fundjavës ka rënë që kur qeveria ka bërë disa lëshime të vogla, konflikti midis lëvizjes popullore dhe qeverisë mbetet një temë e përditshme e debatit në Francë.


10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)