Forcat e sigurisë libaneze, kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë shpërndarë ujë me presion mbi turmën e cila po protestonte jashtë ambasadës amerikane në Bejrut të Libanit.


Bëhet fjalë për manifestimin e radhës kund vendimit të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Policia libaneze ka ndërhyrë kur disa manifestues kanë tentuar të hapin me forcë kangjellat e ambasadës. Mediat lokale raportojnë se ka edhe persona të plagosur.


Protestuesit, që iu afruan shumë ambasadës në zonën Awkar të Bejrutit verior, hodhën gurë dhe ndezën zjarre nëpër rrugë. Forcat e sigurisë krijuan barrikada në rrugën kryesore që të çon drejt kompleksit të madh diplomatik.


Por kjo nuk ishte e vetmja demonstratë, pasi njerëz të shumtë protestuan edhe jashtë ambasadës amerikane në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, disa prej të cilëve me parulla ku lexohej Palestina është në zemrat tona.


Një objekt në flakë është hedhur edhe në një sinagogë të Goteborgut, në Suedi, orët e vona të së shtunës, në atë që policia suedeze tha se ishte një përpjekje e dështuar për zjarrvënie. Udhëheqësi i komunitetit hebre, Allan Stutzinsky tha se ngjarjet e fundit po çojnë drejt kërcënimeve më të mëdha.


10 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)