Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar punimet duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes dhe për votim janë hedhur dy projektrezolutat mbi votën e Shqipërisë në OKB për statusin e Jeruzalemit.


Varianti i Partisë Socialiste, që i kërkon qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë, dhe bashkëpunimit në të tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, është miratuar me 73 vota pro dhe 11 kundër.


Ndërkohë varianti i Partisë Demokratike që kërkoi ndryshimin votës së Shqipërisë mbi rezolutën e OKB-së për statusin e Jeruzalemit ka marrë vetëm 11 vota pro dhe 73 kundër, duke bërë që të mos miratohet.


Në seancë u votua edhe për listën finale për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.


Lista e kandidatëve për KLGJ mori 72 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa lista për KLP mori 71 vota pro dhe 2 kundër.


Duke qenë se ky ishte raundi i tretë dhe përfundimtari i përzgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, që do të përbëjnë trupën e KLP dhe KLGJ, lista u miratua automatikisht edhe pse nuk mori shumicën e cilësuar, pra 94 vota.


Lista me 10 emra:


Kandidatë nga trupa e Avokatisë për KLGJ


Fatmira Luli


Alban Toro


Kandidatë nga trupa e Pedagogëve për KLGJ


Erjon Muharremaj


Maksim Çoku


Kandidatja nga Shoqëria Civile për KLGJ


Naurela Llagami


Kandidatë nga trupa e Avokatisë për KLP


Nuriha Seiti Meta


Tartar Bazaj


Kandidatët nga trupa e Pedagogëve për KLP


Gent Ibrahimi


Sandër Beci


Kandidati nga Shoqëria Civile për KLP


Alfred Balla


8 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)