Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, një mbrëmje kushtuar veprës së kompozitorit   
Nikolla Zoraqi, me veprën e tij është në fondin e artë të kulturës shqiptare. Një prej emrave më të shquar të artit shqiptar është dhe kompozitori Nikolla Zoraqi. Ka kompozuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore dhe veprat e tij janë luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare; në Koncertet e Majit, në festivalet dhe konkurset e ndryshme etj, dhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Veprat e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga orkestra e TKOB,

orkestra e RTSH, orkestra e Akademisë së Arteve, orkestra e Liceut Artistik, nga trupat e ndryshme korale dhe instrumentale profesioniste apo amatore si dhe janë luajtur dhe në vende të tjera me orkestrat apo muzikantët shqiptare, në Greqi, Turqi etj. Në nderim të veprës së tij nesër në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të zhvillohet aktiviteti Jeta mbaron,vepra vazhdon, një aktivitet i cili vjen dhe si përkujtim në 80-vjetor të lindjes së kompozitorit të njohur. Në këtë aktivitet do të bëhet dhe promovimi i librit me të njëjtin titull. Tradita e mirë e botimeve jubilare ka nxitur publikimin e librit për Nikolla Zoraqin me titull që buron nga postulati se dimensionet e artit dhe veprave me vlera të vërteta, tejkalojnë jetën tokësore të autorëve të shquar. Vëllimi është përgatitur nga prof. Zhani Ciko me reçenzentë Zana Shuteriqi-Prela dhe Albert Paparisto, redaktuar nga Kastriot Zoraqi. Me këtë kontekst Jeta mbaron...vepra vazhdon i shkon mirë për shtat librit dedikuar Njeriut që prodhoi gjatë gjithë jetës vetëm tinguj e harmoni për të gjithë (Fatos Arapi) apo vlerësimit tjetër madhor e them me plot gojën, është më i madhi kompozitor shqiptar, me krijimtari mjeshtërore të nivelit të lartë artistik dhe me një kulturë të gjithanshme jo vetëm në lëmin e muzikës por dhe të historisë dhe letërsisë (Dritëro Agolli). Në këtë vëllim me rreth 400 faqe është organizuar sipas një strukturë origjinale një material i pasur. Fillimisht libri shërben për të dokumentuar jehonën që pati në këtë vit të përvjetorit të 80-të të autorit vënia në skenën e TKOB të baletit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, vepër e cila u konsiderua si një triumf dhe ringjallje e krijimtarisë së tij nga mediat dhe vlerësimet e kritikës. Shkrime të shumta të emrave më të njohur të artit si A. Alia, M. Luarasi, A. Janku, Th. Gaqi, A. Lepuri, etj sjellin në libër vlerësime të shumta për figurën dhe vepra të autorit. E pasuruar edhe nga botimi i shkrimeve përgjithësuese të muzikologut të mirënjohur Albert Paparisto, dirigjentit të parë shqiptar Mustafa Krantja, dhe kolegëve kompozitorë, figura e kompozitorit N. Zoraqi zbërthehet në të gjitha planet e analizave profesionale objektive. Kritikë të muzikës si prof. Hamide Stringa, prof. ass. Sandër Çefa, Spiro Kalemi dhe Klement Kole ndalen në analiza veprash madhore të muzikës që krijoi N. Zoraqi, me katalogun e tij të jashtëzakonshëm në të gjitha gjinitë që nga kënga (Dhuratë për ditëlindje) e deri tek simfonia, baleti (Cuca e maleve, etj) dhe opera (Komisari, Paja). Krahas analizave dhe vlerësimeve libri sjell dhe dëshmi të zhvillimeve historike muzikore e më gjerë të figurës qytetare të kompozitorit si dhe qëndrimeve të tij si tek Violina e thyer, Në kujtim të rrënjëve, etj. Zbrazëtia që krijuan vendimet e Pleniumit të IV që ngjallën jo vetëm pasiguri dhe frikë nga masat represive, ngërçi frenues e sidomos politizimi sa që vihej në dyshim edhe ekzistenca për Teatrin e Operës dhe të Baletit, një pasazh nga Fletë kujtimesh shkruar nga prof. Alfred Uçi, plotësojnë kuadrin analitik të kohës kur jetoi dhe krijoi N. Zoraqi, por sjell dhe qëndrimet dhe mendime reale që nuk mund të gjenden haptas në shtypin e kohës. Një nga kapitujt më me vlerë është Mendime, biseda, figura dhe publiçistikë nga Nikolla Zoraqi. Janë mbi 150 faqe analizash dhe mendime të Nikolla Zoraqit të botuara në shtypin e kohës nga të cilat evidentohen problemet profesionale që përballonte muzika shqiptare nga vitet 60-të e më vonë. Me një lexim të vëmendshëm mes rreshtash, mund të zbulosh përveç formulimeve që ishin të stilit të kohës edhe se çfarë ka përjetuar autori dhe si është përpjekur të gjejë një pozicionim profesional e sa më të favorshëm për krijimtarinë kombëtare duke iu kundërvënë fenomeneve më negative që jo rrallë stimuloheshin nga regjimi. Ai nuk ngurron të shprehet objektivisht dhe për krijues dhe kolegë të kohës, me dashamirësi dhe sensin e vërejtjeve dhe jo të denigrimit, gjë që në shumë raste e pat pësuar. Shkrimi i tij për Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH (si drejtor i tij) zbulon pikëpamjet e vetë progresive mbi të cilat u synua të realizohej kjo veprimtari. Heshtja më pas për gati dhjetë vjet është shpjegimi I reagimit të heshtur ndaj përjetësimit dramatik të asaj çka ndodhi. Libri Jeta mbaron, vepra vazhdon nuk është një vëllim biografik as panegjirik për autorin. Ai të ndihmon mes faktesh dhe shkrimesh të zbulosh vetë portretin që personalitete bashkëkohës i kanë bërë Nikolla Zoraqit. Ai është dhe një guidë në titujt e katalogut të krijimtarisë së autorit si dhe një reflektim I Nikolla Zoraqit për bashkëkohësit e tij. Të dhëna arkivore interesante gjenden dhe në shkrimin e Z. Këlliçit Nikolla Zoraqi në arkivin historik të TKOB, etj. Botimi I librit me përballimin financiar të familjes së autorit është një akt dashurie dhe respekti për njeriun e tyre të dashur dhe të madh. Mbulesa e thjeshtë e kopertinës me krokinë e portretit të punuar nga nipi i tij Klement Zoraqi vendosur mes faksimiles së një faqeje të dorëshkrimit të kompozitorit është një gjetje e thjeshtë, por domethënëse për gdhendjen e talentit të tij krijues në pentagramet e pafundme të veprës së tij. Poezia epigram dedikuar Nikolla Zoraqit nga poeti dhe miku i tij Fatos Arapi është një vlerë artistike e spikatur që zë vend në të.
Si e njohëm kompozitorin Nikolla Zoraqi
 Edukimin e parë muzikor e mori në familje dhe më U. Rampi nga i cili mori mësime violine, por në vitet 1946-1950 kreu Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Pas kësaj punoi pranë kësaj shkolle si pedagog për pak kohë. Në mesin e viti 1950 kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, si violinist dhe së fundi si asistent dirigjent i orkestrës, që drejtohej nga G. Avrazi, ku punon deri në vitin 1958. Në këtë kohë datojnë edhe krijimet e tij të para. Në vitin 1958 filloi studimet në Moskë në Konservatorin P. I. Tchajkoësky, në klasën e J. Shapori, por u kthye në vitin 1961 pa i mbaruar dot. Ne Shqipëri punoi pranë Ministrisë së Kulturës si inspektor në sektorin e muzikës ( 1961-1964), më pas pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore (1964-1966) dhe në vitet 1966-1971 punoi si shef i redaksisë së muzikës në Radio Tirana. Në vitin 1971 del në profesion të lirë si krijues deri në fund të jetës se tij. Krahas detyrave të tjera, deri në vitin 1983 Nikolla Zoraqi ka dhënë dhe mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve ( sot Akademia e Arteve) në Tirane, në fillim harmoni dhe analize dhe më pas kompozicion. Disa vepra para studimeve: Lufta jonë me kohën, skenë dramatike, 1954; Përtacët, operete për fëmijë, libreti K. Jakova, 1956; Ushtari dhe vdekja skenë koreografike, 1959; Fundi i Golemëve, opera, libreti K. Jakova, sipas Dh. Shuteriqi, 1967. Të tjera Cuca e Maleve, balet, libreti L. Papa, koreograf Agron Aliaj 1970; Komisari, opera, libreti Dritero Agolli, 1975; Toke e pamposhtur, balet, libreti Ismail Kadare, Shote e Azem Galica, etj.