Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli hapi punimet e këtij Kuvendi duke shprehur falenderimet e saj për themeluesit e kësaj force politike dhe të gjithë kontribuesit në fitoren e çmuar të PD. Kryetarja e kuvendit e cilësoi mbajtjen e këtij Kongresi, si mbledhjen e fitores. “Ky është faza e II e Kuvendit të PD. Ky është kuvendi i fitores së mandatit të dytë të Partisë Demokratike. Vetëm 4 vjet dhe vendi ynë është transformuar. Në 2005-ën Shqipëria ishte pa drita, në terr të thellë. Sot, Shqipëria ka 24 ora drita. Para 2005-ës Shqipëria nuk kishte investime të huaja, rroga e arsimtarëve dhe mjekëve ishte vetëm 20 000 lekë, ishin pensionet më të ulëta në kontinent. Por ju nuk u dorëzuat, Shqipëria ka përjetuar ndryshimet më të mëdha me Partinë Demokratike”, u shpreh ajo. Kryeparlamentarja deklaroi më tej nën fjalën e saj, se sot Shqipëria nuk ka më banda, nuk ka më Aldo Bare. “Aldo Baret janë në burg në sajë të vendosjes së shtetit ligjor. Mësuesit dhe mjekët në këtë vend kanë një rrogë dinjitozë, pensionistët po ashtu marrin dy herë më shumë se në 2005-ën. Në vetëm katër vite u ndërtuan rrugët në mbarë vendin. Ne firmosëm dhe ratifikuam MSA-në Shqipëri -BE. Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe po shkojmë më dinjitozë se kurrë drejt integrimit në BE”, tha më tej, Topalli.

...