Juan Manuel Santos është emri i kandidatit fitues i balotazhit të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan ditën e dielë në Kolumbi. Kandidati i partisë së Gjelbër, Antanas Mockus, e pranoj direkt humbjen e balotazhit zgjedhor presidencial, ndërsa në krahun tjetër mbështetësit e shumtë të Santosit festuan në kryeqytetin e Kolumbisë, në Bogota, fitoren e shumëpritur të kandidatit të partisë së tyre.
"Qytetarë kolumbianë dua të uroj për fitoren Santosin, partinë e tij si edhe njerëzit që e votuan atë. Unë i uroj Santosit suksese në angazhimin e tij më të ri," tha për gazetarët Antanas Mockus. Juan Manuel Santos, kandidati i krahut konservator, i mbështetur nga presidenti në ikje, Uribe arriti që të mundte në balotazhin zgjedhor kundërshtarin e tij, Antanas Mockus, kandidatin e propozuar nga Partia e Gjelbër kolumbiane.
Santos arriti që të fitonte balotazhin me një përqindje dhe diferencë të lartë nga kundërshtari i tij Antanas Mockus. Kandidati konservator arriti që të grumbullojë 69 % të votave të zgjedhësve kolumbianë, ndërsa kandidati Mockus Mori vetëm 27 % të votave.
Fituesi i balotazhit zgjedhor arriti që të bindë 8,8 milionë kolumbianë për të qenë zyrtari më i lartë i aleatit më të madh të SHBA-së në Amerikën e Jugut. Asnjë president më parë nuk ka ardhur në pushtet në Kolumbi pas një fitoreje me shifra të tilla impresionuese. Presidenti i ri do të grumbullojë kongresin në muajin gusht.